Thiago Silva (Rio de Janeiro, 1984) duket si një fëmijë me këpucë të reja, megjithëse është lojtari i fushës më veteran (40 vjeç e 9 muaj) i Botërorit për Klube. “U largova shumë i ri nga Fluminense dhe kurrë nuk e kam menduar se do ta përjetoja këtë. As në ëndrrat e mia më të çmendura nuk e kam imagjinuar se do të mund ta përfaqësoja Fluminense në një kompeticion kaq të rëndësishëm”, – shprehet “Monstruo”, që në vitin 2009 ndërroi “Flu” me Milanin.
Tani, 13 vite pasi ka lënë “San Siron”, ai do të përjetojë një tjetër derbi ndaj… Interit, me kualifikimin për në çerekfinale të Botërorit të Klubeve në lojë. “Mos e shikoni kurrë kartën e identitetit të një lojtari të madh. Thiago është një legjendë, si në Brazil, ashtu edhe në Itali. Nuk kemi luajtur kurrë bashkë, por kemi folur shumë për futbollin italian dhe Milanin. Përballja me të është diçka e mrekullueshme për mua”, – thekson Carlos Augusto, lojtari i Interit.
Qendërmbrojtësi, që humbi ndeshjen ndaj Mamelodi (0-0) për shkak të disa shqetësimeve fizike, do të rikthehet në qendër të mbrojtjes së të tijve kundër Interit. “Nuk e di nëse Thiago do të luajë, por të jesh pranë tij është një lehtësim për shkak të eksperiencës dhe cilësive që ofron”, – shtoi Freytes, partneri i mundshëm në mbrojtje.
“Renato paralajmëroi se ndaj Mamelodi, nëse do të ishte finale, ai do të kishte luajtur. Mund të thuhet me siguri që Thiago është kthyer. Për më tepër, kur luante me Milanin, ai është përballur 6 herë me Interin. Ka fituar 3 dhe ka humbur 3 ndeshje derbi të Madoninës. Për të është një klasike”, – thekson komentatori i njohur Paulo Vinícius Coelho.
Fluminense u kualifikua në Botërorin e Klubeve si fitues i “Copa Libertadores” 2023. Në atë ekip, Thiago Silva nuk ishte ende. Megjithatë, i ka në mendje të gjithë. “Duhet të shfrytëzojmë momentin, të mos e lëmë të na shpëtojë. Shumë njerëz janë përpjekur që ta sjellin Fluminense deri këtu. Unë nuk isha, por dua të përfaqësoj të gjithë ata djem që erdhën dhe u larguan, disa janë tërhequr nga futbolli, të tjerë shkuan në Europë… Dua të përfaqësoj Felipe Melo, André, Marcelo…”
Në moshën 40-vjeçare, edhe pse ka humbur një ndeshje të kompeticionit që po zhvillohet në SHBA, Thiago Silva vazhdon të luftojë. Ai ka përqindjen më të mirë në duelet ajrore të fituara në këtë turne: 83% (10 nga 12). Tani, “Monstruo” dëshiron të sfidojë Interin si dikur.
The post Thiago Silva, një derbi në emër të Marcelos: As në ëndrrat e mia më të çmendura nuk mendoja ta përjetoja këtë appeared first on Telesport.