Therja e të miturit në Ferizaj, policia arreston një shtetas të Shqipërisë

Një incident i rëndë ka ndodhur të dielën e 27 prillit në oborrin e një shkolle në rrugën “Gjon Sereqi” në Ferizaj, ku një i mitur u sulmua brutalisht nga tre persona.

Sipas policisë, viktima, F.V., 16 vjeç, pas një mosmarrëveshjeje, është sulmuar fizikisht me thikë nga tre persona, duke pësuar lëndime të rënda trupore.

Pas trajtimit fillestar në emergjencën e Ferizajt, viktima është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Lidhur me rastin, policia ka identifikuar njërin prej të dyshurave, M.D., shtetas i Shqipërisë, derisa sot, rreth orës 12:30, në rrugën “At Nikë Prela” në Ferizaj, u arrestua po i njëjti.

Gjatë kontrollit trupor ndaj të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një thikë që dyshohet të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale.

Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 24 orë, në pritje të procedurave të mëtejshme hetimore.