Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Princ Valentino Corleone, avokatit Ahmet Tahiri, për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës, duke ia konfirmuar Corleones aktakuzën për shitblerje të narkotikëve.
“REFUZOHET- kërkesa e mbrojtësit të të pandehurit P.V.C., Av. Ahmet Tahiri për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës e ushtruar kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë,… e datës 29.06.2023, si e pa bazuar”, thuhet në aktvendimin e Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendimin e Themelores të marrë më 13 qershor 2025, thuhet se avokati Tahiri, në parashtresën e 20 majit 2025 për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës, ndër tjera ka pretenduar se ka bazë të mjaftueshme që Gjykata të çmojë provën si thelbësisht të pambështetshme, dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Në anën tjetër, Prokurori i Shtetit përmes përgjigjes me shkrim kishte theksuar se aktakuza është ngritur mbi bazën ligjore të arsyetuar mirë të provave materiale dhe personale, të cilat gjenden në shkresat e lëndës për veprën penale për të cilën ngarkohet Corleone, pasi aktakuza mbështetet në prova të mjaftueshme dhe të ligjshme.
Andaj, pas shqyrtimit të provave që gjenden në shkresat e lëndës dhe pretendimet e mbrojtjes, Themelorja ka vlerësuar se aktakuza bazohet në prova të siguruara në mënyrë të ligjshme dhe nuk ka ndonjë provë që mund të jetë e papranueshme apo e cila është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPPRK-së dhe se aktakuza ka prova të mjaftueshme për veprën penale për të cilën ngarkohet i akuzuari.
“…një pretendim i tillë është i pabazuar ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se në veprimet e të pandehurit formohen elementet e veprës penale për të cilën akuzohet dhe atë në bazë të provave të grumbulluara gjatë procedurës hetimore”, thuhet në vendim.
Sipas kësaj Gjykate, çështjet e ngritura nga ana e mbrojtjes, janë çështje faktike- të cilat do të shqyrtohen, vërtetohen apo refuzohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarit.
“Tani për tani gjykata nuk mund të vlerësoj në merita provat që gjenden në shkresat e lëndës e të cilat për momentin e mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet nga Prokuoria Themelore në Prishtinë, por rrethanat në të cilat vepra penale është kryer është çështje që do të shqyrtohet vetëm pas shqyrtimit të secilës provë veç e veç dhe të gjitha së bashku në shqyrtimin gjyqësor në pajtim me standardin ligjor të KPPRK-së”, thuhet më tej në vendim.
Ndërsa, lidhur me pretendimet e mbrojtjes rreth besueshmërisë së deklaratave të dëshmitarëve dhe pretendimeve të të pandehurit, Themelorja thekson se në këtë fazë të procedurës nuk mund të lëshohet në fuqinë provuese të provave e as në provat kontradiktore, dhe se të njëjtat paraqesin mjet provues në shqyrtim gjyqësor dhe besueshmëria e tyre mund të vlerësohet vetëm pas dëgjimit të tyre në shqyrtim gjyqësor.
Andaj, Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit për hudhjen e aktakuzës dhe shpalljen e provave të papranueshme, duke vleresuar se nuk ka rrethana të cilat përjashtojnë përgjegjësine penale, nuk ka parashkrim të ndjekjes penale, aministi apo falje dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale për të cilën ngarkohet i akuzuari.
“Se a është kryes i veprës penale apo jo i pandehuri, do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave si të atyre personale poashtu edhe provave materiale”, thuhet në vendim.
Ndryshe në seancën fillestare të 22 prillit 2025, Princ Valentino Corleone është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për shitblerje të narkotikëve.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës të ngritur më 29 qershor 2023, i pandehuri Princ Valentino Corleone akuzohet se pa autorizim ka poseduar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope, analoge, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ashtu që më 17 mars 2023, rreth orës 20:30 në fshatin Çagllavicë- Komuna e Prishtinës, derisa ishte në një motel në shoqëri të dy vajzave, i pandehuri Princ Valentino Corleone e ka kontaktuar një vajzë tjetër, duke i thënë “hajde me e ngreh ndonjë vi kokë”.
Aktakuza thotë se vajza në fjalë më pas kishte shkuar dhe i pandehuri ia kishte dhënë një sasi kokaine për ta konsumuar. Kokainë kishte konsumuar ajo dhe njëra prej dy vajzave që kishin qenë fillimisht me të. Kurse, gjatë kontrollit nga ana e Policisë, të pandehurit Corleone i janë gjetur një dozë dhe një qese me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 0.39 gramë.
Me këtë, Princ Valentino Corleone po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par. 1 të Kodit Penal.