Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), duke deklaruar të paligjshëm vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.
Me këtë vendim, detyrohet e paditura KPM që t’ia paguajë paditëses IKD shpenzimet e procedurës në shumën prej 239 euro.
Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM të mbajtur më 17 janar.
Gjithashtu, IKD ka kërkuar që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.
Përfaqësuesi i IKD-së, avokati Ardian Bajraktari tha se vendimi i Themelores konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së kryetarit të KPM-së.
Postimi i plotë i Bajraktarit:
“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është aprovuar padia e OJQ Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe është deklaruar i paligjshëm Vendimi për Zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) i datës 17.01.2025.
Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së Kryetarit të KPM-së.
Po ashtu, ky vendim rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë, me rastin e marrjes së vendimeve të tilla”.
Më 17 qershor 2025, Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.
Supremja ka shpalluar të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave, e cila ishte miratuar në mbledhjen e mbajtur më 17 janar 2025.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Ehat Miftaraj, më 29 janar të këtij viti ka ushtruar padi ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur më 17 janar. Gjithashtu, IKD kërkon që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.
Ndryshe, sa i përket ndryshimit të rregullores, KPM në atë mbledhje ka shtuar një paragraf (2) në nenin 3 të saj, përmes të cilit u mundësua zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së, përderisa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025.
Konkretisht, paragrafi i shtuar përcakton se “Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
Ndërsa, në këtë padi, IKD ka konsideruar se kjo dispozitë është e kundërligjshme, e vendosur në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të procedurave ligjore. Më tej, në padi theksohet se ndryshimi i kundërligjshëm i kësaj dispozite të Rregullores ka prodhuar pasoja tjera të kundërligjshme, përmes së cilave ka ardhur deri tek zgjedhja e kundërligjshme e kryetarit të ri të KPM-së.
“Përkundër dispozitave të qarta ligjore, në rastin konkret, kryetari i ri i KPM-së, në mbledhjen e 17 janarit 2025, është zgjedhur, sa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025”, thuhet tutje në këtë padi.
Ndërkaq, sa i përket bazës ligjore, në padi thuhet se pikërisht Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Medieve, mbi bazën e të cilit është nxjerrë Rregullorja e kontestuar, në nenin 8 të tij ka përcaktuar obligueshmërinë e zhvillimit të konsultimeve publike në rastet e miratimit të akteve nënligjore.
Tutje, padia thekson se në po të njëjtin nen, paragrafi 2, përcaktohet edhe afati kohor prej së paku 15 ditë pune, të cilin publiku dhe palët e interesuara duhet të kenë në disponim për të komentuar draftin.
Në padi thuhet se përkundër këtij obligimi, KPM në takimin e mbajtur më 17 janar 2024, në të njëjtën ditë ka propozuar dhe po ashtu ka miratuar Rregulloren e kontestuar, pa zhvilluar kurrfarë konsultimi publik.
Sipas kësaj padie, mënyra e veprimit të anëtarëve të KPM-së ku është vendosur për plotësim-ndryshimin e Rregullores, duke shtuar një dispozitë në Rregullore, brenda të njëjtës ditë dhe në mungesë të konsultimeve publike dhe afateve të përcaktuara kohore, qartazi përbën shkelje të ligjit për KPM.
Andaj, në padi thuhet se për këtë arsye, vetë procesi i ndjekur për miratimin e Rregullores së atakuar është i kundërligjshëm dhe të tillë e bën edhe Rregulloren e atakuar përmes kësaj padie.
Mirëpo, përveç procedurës së ndjekur për ndryshimin e kësaj Rregullore, në padi thuhet se kjo Rregullore është në kundërshtim me ligjin edhe për nga materia.
Në padi theksohet se sipas Ligjit për KPM, ka vetëm një moment ligjor se kur mund të zgjidhet kryetari i KPM: në mbledhjen e parë pas përfundimit të mandatit të kryetarit. Ndërsa, thuhet se jashtë kësaj, Ligji në fjalë nuk njeh moment tjetër se kur mund të zgjidhet kryetari i ri i KPM.
Lidhur më këtë, në padi theksohet paragrafi 11 i nenit 15, të Ligjit për KPM, i cili përcakton procedurat e punës së KPM-së.
Konkretisht, padia thekson paragrafin i cili përcakton se “Në mbledhjen e parë anëtarët e KPM-së me shumicë të thjeshtë votash, zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e tij nga radha e anëtarëve të KPM-së, nëse në mbledhjen e parë janë të pranishëm së paku dy të tretat (2/3) e anëtarëve të KPM-së”.
Sipas kësaj padie, kjo dispozitë ligjore përcakton qartazi zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit për secilën herë që do të zgjidhet.
“Kjo assesi nuk është dispozitë që vlen vetëm për zgjedhjen në herën e parë kur është themeluar institucioni. Sepse po të ishte kështu, atëherë kjo dispozitë do të vendosej në dispozita kalimtare të ligjit bazik dhe jo si pjesë integrale e aktit nënligjor – përkatësisht rregullores së atakuar me këtë padi”, thuhet tutje në padi.
Derisa, në padi theksohet edhe se përmbajtja e dispozitës ku thuhet “në mbledhjen e parë pas mungesës së tyre”, i bie që ligjërisht zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së mund të bëhet vetëm pasi të përfundojë mandati i kryetarit aktual.
Lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të KPM-së, në mbledhjen e 17 janarit 2025, në padi thuhet se kjo është bërë duke u bazuar në Rregulloren e atakuar dhe në kundërshtim me Ligjin për KPM.
“Kështu, Rregullorja e atakuar përmes kësaj padie, tanimë ka krijuar edhe një vendim të kundërligjshëm. Si i tillë, në tërësinë e tij, vendimi i atakuar është arbitrar dhe tërësisht i kundërligjshëm…”, thuhet më tej në këtë padi.
Po ashtu, padia thotë se përkundër miratimit të një Rregulloreje të kundërligjshme që pasoi me një vendim të kundërligjshëm, përsëri, KPM mbeti jofunksionale.
Ndryshe, më 20 janar 2025, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se për zhvillimet në mbledhjen e 17 janarit në KPM, është angazhuar një prokuror. /BetimipërDrejtësi













