Komuniteti shqiptar në Zvicër është pasuruar me një organizatë të re. Është themeluar zyrtarisht Oda e Grave Shqiptare në Zvicër (ODGSH), një shoqatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse, e cila synon fuqizimin, mbështetjen dhe integrimin e grave shqiptare në Zvicër.
Shoqata ka për mision promovimin e integrimit shoqëror, arsimor dhe profesional të grave, forcimin e rolit të tyre në familje dhe shoqëri, si dhe ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar. Përmes aktiviteteve arsimore, këshillimore dhe kulturore, si dhe programeve të mentorimit, ODGSH synon të ndërtojë një rrjet të fortë solidariteti dhe bashkëpunimi mes grave shqiptare.
Një ndër objektivat kryesore të shoqatës është bashkëpunimi me institucione, komuna, shkolla, organizata dhe partnerë të ndryshëm në Zvicër, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes shoqërore dhe qytetare të grave shqiptare dhe promovimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes në shoqërinë zvicerane.
Oda e Grave Shqiptare në Zvicër është e hapur për të gjitha gratë, organizatat dhe individët që ndajnë të njëjtat vlera dhe dëshirojnë të kontribuojnë aktivisht në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.














