Thaçi: Moikom Zeqo ishte përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i UÇK-së

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë sot në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh.

Zeqo prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Pas vdekjes së tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar Moikom Zeqon, duke thënë se ai ishte një përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në ditët e para të veprimit të saj.

“Bota shqiptare me vdekjen e tij humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi, shkruan lajmi.net.

Postimi i plotë i Presidentit Thaçi:

Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e shkrimtarit erudit Moikom Zeqo. Me dijet e shumta nga fusha e letërsisë, historisë dhe shkencave humane, Moikom Zeqo ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare.

Moikom Zeqo ishte përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në ditët e para të veprimit të saj.

Bota shqiptare me vdekjen e tij humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Moikomit dhe gjithë miqve të tij.