Thaçi e Haradinaj homazhe në Prekaz: Nderime për sakrificën e familjes Jashari

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz për të nderuar të rënët e familjes Jashari.
Presidenti i vendit, para gazetarëve ka thënë se Kosova nderon të gjithë të rënët për pavarësinë.
“Sot jemi së bashku me Haradinajn dhe kryetarin e Skenderajt për të bërë nderimet shtetërore komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij për sakrificën e tij për shtetin e Kosovës. Nderime dhe respekt për gjithë të rënët”, deklaroi Thaçi.
Në anën tjetër, kryeminsitri Haradinaj pas homazheve, ka shkruar në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se në Prekaz buron liria, kurse Adem Jasharin e ka vlerësuar si komandant i cili ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Në Prekaz, aty ku buron liria, nderimi është i përhershëm për Jasharajt dhe Kryekomandantin Adem Jashari, të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë sonë të re. Komandant, në 11-vjetorin e Pavarësisë, Forca jonë është në rresht me ushtritë e paqes”, ka shkruar Haradinaj.
Para Prekazit, liderët shtetërorë bënë homazhe edhe te shtatorja e ish-presidentit Rugova, dhe te memoriali për të pagjeturit.