Ish-krerët dhe luftëtarët e UÇK’së që po mbahen në paraburgim në në Hagë, kanë dorëzuar aplikacionet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.
Media mëson nga burime brenda KQZ’së se ish-Presidenti Hashim Thaçi, ish-krerët e Kuvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ish-eprori i UÇK’së Sali Morina dhe krerët e OVL-UÇK;së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë regjistruar tashmë si votues jashtë Kosovës.
Në një përgjigje për Express, zyra për informim e Dhomave të Specializuara të Hagës pati thënë se se çështja e votimit të Thaçit dhe të tjerëve do të adresohet sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës në lidhje me zgjedhjet dhe kanë thënë se do të ofrojnë përkrahje për t’u mundësuar të akuzuarve që të votojnë.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës do ta adresojnë këtë çështje sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës në lidhje me zgjedhjet. Nëse kërkohet në mënyrë specifike, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Qendra e Ndalimit e Dhomave të Specializuara të Kosovës do të ofrojnë përkrahje për organizimin praktik të realizimit të procedurave të votimit”, kanë deklaruar nga Dhomat e Specializuara.
Ndërkohë, sipas nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme votuesi i cili gjendet jashtë Kosovës, mund të votojë nëse ka aplikuar për votim jashtë Kosovës.