Thaçi: Daçiq e Bërnabiq jetojnë në shekullin e kaluar, mos të merremi me ta!

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media para nisjes për në Bratisllavë të Sllovakisë, ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga “GlobSec”.

Ai gjatë fjalës së tij tha se Kosova e Serbia po punojnë që të lëvizin drejt perspektives evropiane.

Prandaj, sipas tij, sa më shpejt që arrihet marrëveshja, aq më shpejt edhe lëvizet në këtë drejtim, por gjithmonë duhet pasur vullnet nga liderët e dy vendeve.

“Derisa ekziston vullneti i mirë në Beograd për të ndodhur dialogu dhe derisa të ketë një marrëveshje për të lëvizur përpara do të ndodh kjo”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu përmendi edhe taksën 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe, duke thënë se ajo nuk hiqet.“Tarifa është vendim i drejtë, legjitim dhe duhet të mbetet në fuqi, askush nuk duhet ta shikoj si kriter shtesë për liberalizimin e vizave. Nuk kemi nevojë të ofendojmë por të afirmojmë vlerat tona, siç është edhe rasti i tarifës, e që hiqet vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën”, ka theksuar Thaci.

I pari i vendit është pyetur edhe për fushatën që ka nisur shteti serb, duke shkruar mbishkrime të ndryshme në kartëmonedha.Thaçi ka shtuar se Kosova nuk ka nevojë të merret me njerëz të tillë siç është ministri i jashtëm, Ivica Daçiq.

“Kosova sa më pak që merret me njerëz të tillë, pa ndikim në Serbi është më mirë, mos të humbim energji duke u marr me slogane ofenduese dhe shumë të ulëta të një njeriu me përgjegjësi direkte për gjenocidin e kryer, prandaj duhet të fokusohemi në punët tona e jo në parulla e me mite që Serbia prezanton për Kosovën. Është e qartë jo vetëm për ne por për gjithë botën, Kosova është vend i lirë dhe i pavarur për të gjithë qytetarët, Serbia është shteti më prorus ndaj Kosovës, kjo fushatë është denigruese për ata, e edhe kjo parullë e Dacicit dhe deklarimi i kryeministres serbe që shihet se jetojnë në shekullin e së kaluarës dhe primitiv, por ne duhet të punojmë në përputhshmëri me obligimet tona”, ka thënë ndër tjerash Thaçi.