‘Tetë orë për një kuti’: Cakolli i DnV-së ia qet lapsin se për sa kohë kryhet numërimi me këtë tempo

Me këtë ritëm numërimi, “tetë orë për numërim të një kutie”, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ia qet lapsin se përmbyllja e numërimit të votave do të merr rreth tre javë kohë.

Kështu shkroi ai në Facebook referuar numërimit të vështirë e ngadalë që po shkon në Qendrat Komunale të Numërimit.

Postimi i plotë:

Deri mbrëmë në mesnatë, 18 qendrat komunale të numërimit, paskan arritur të numërojnë vetëm 114 vendvotime. Një tavoline po i duhen mesatarisht 8 orë për numërim të një kutie.

Në përgjithësi, procesi i numërimit në qendra është shpesh kaotik, për shkak të:

• Problemeve të vazhdueshme me internetin;

• Tensioneve mes vëzhguesve dhe komisionerëve;

• Mospërputhjeve të shpeshta në të dhëna;

• Stafit zgjedhor të trajnuar dobët, që shpesh ngec për shkak të mungesës së udhëzimeve për rastet e mospërputhjeve;

• Procedurës së pranimit të materialeve dhe formularëve në sistem, e cila po zgjat deri në një orë.

Me këtë ritëm, edhe sikur 20 qendrat e tjera të fillonin punë nesër—e që nuk pritet të ndodhë—do të duhen rreth 3 javë që ky proces të përmbyllet. Pra, rezultati i plotë për subjektet politike dhe kandidatët e tyre nuk do të dihet para fillimit të marsit.

Për KQZ-në, e vetmja gjë që duket se ka rëndësi është përmbyllja e procesit, pa marrë parasysh vonesat. Shembulli më i qartë i kësaj neglizhence dhe mungese përgjegjësie është arsyetimi zyrtar se në disa qendra numërimi ende nuk ka nisur për shkak të moslidhjes së kamerave me ekranet! Derisa një vend i tërë pret rezultatet, procesi zvarritet për një teknikalitet të tillë absurd.

KQZ-ja duhet urgjentisht t’i adresojë këto mangësi, të rrisë kapacitetet dhe të garantojë më shumë transparencë. Në anën tjetër, subjektet politike duhet të nxjerrin mësime nga kjo situatë. Ndryshimet sistemore nuk mund të bëhen pa një analizë të thelluar paraprake. Kosova duhet t’i kthehet numërimit të të gjitha votave në vendvotime, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.