Testi i demokracisë: Sot tri javë qytetarët i kthehen kutive të votimit për Kuvendin e Kosovës; çka dihet deri tash?

Të dielën e 28 dhjetorit, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen edhe një herë kutive të votimit. Kjo pas shpërbërjes së Kuvendit nga Presidentja Vjosa Osmani. Dështimi për formimin e qeverisë brenda afateve kushtetuese, anipse zgjedhjet u mbajtën po këtë vit; më 9 shkurt 2025, çoi vendin drejt zgjedhjeve të reja të përgjithshme, duke hapur kështu një tjetër cikël politik të paparashikueshëm, e të lodhshëm.

Ky rikthim në procesin zgjedhor vjen në një kohë të mbushur me debate politike, tension institucional, si dhe në qendër të diskutimeve, po provohet të shtrihet narrativa e ‘fajtorit’ që shkaktoi këto zgjedhje.

Në njërën anë, Lëvizja Vetëvendosje që mbajti mbi 50 seanca të Kuvendit në mënyrë kundër-kushtetuese, si dhe deklaronin se s’kanë marrëveshje me asnjë parti, s’kanë diskutime me asnjë parti, provon ta lë fajin tek opozita që nuk ia votoi qeverinë. Në anën tjetër partitë opozitare, thonë se Kurti nuk i pa asnjëherë si partnerë, por i njejti përdori taktika të tilla, që institucionet të mos themeloheshin e ta luaj kartën e viktimizimit.

Partitë tashmë janë në fazën e intensifikimit të fushatës, duke synuar të rikonfigurojnë skenën dhe të bindin elektoratin për një mandat të ri qeverisës.

Analistët vlerësojnë se këto zgjedhje mbartin peshë të veçantë, pasi qytetarët tashmë po votojnë për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër, dhe pritet që rezultati të japë një pasqyrë më të qartë për drejtimin politik që do të marrë vendi.

Ndërkohë, institucionet përgatiten për procesin e radhës, ndërsa qytetarët mbeten në pritje të një epilogu të qëndrueshëm politik që do t’i japë fund krizës së krijuar pas zgjedhjeve të fundit.

Çka pritet të ndodh sot?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar datën e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas propozimit fillestar, shorti ishte planifikuar të mbahej më 8 dhjetor, por vendimi u rishikua në mbledhjen e radhës së KQZ-së.

Kjo mbledhje u shoqërua me tensione dhe u ndërpre përkohësisht pas përplasjeve mes anëtarëve rreth rendit të ditës, ku pika më e debatueshme ishte shqyrtimi i afateve dhe opsioneve të votimit me postë. Arianit Elshani nga PDK kërkoi që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës dhe të diskutohet në një takim tjetër.

Në anën tjetër, Alban Krasniqi, përfaqësues i Vetëvendosjes në KQZ, kundërshtoi ashpër, duke paralajmëruar se çdo vonesë në përcaktimin e procedurave për votimin nga diaspora mund të rrezikojë seriozisht të drejtën e saj për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Pas debatit, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se mbledhja do të shkojë në pauzë dhe do të rifillojë më pas me diskutime të mëtejshme.

Ndërkohë, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike do të mbahet të nesërmen, me fillim nga ora 14:00.

Tërheqja e subjekteve politike të certifikuara nga procesi zgjedhor parashihet në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Subjekti politik i certifikuar mund të tërhiqet nga procesi zgjedhor duke i dorëzuar KQZ-së një njoftim me shkrim me të cilin shpreh qartazi qëllimin për tërheqje jo më vonë se dy (2) ditë të punës para datës së caktuar për hedhje të shortit për zgjedhje, të përcaktuar sipas nenit 25 paragrafi 1 të këtij ligji”, thuhet në këtë nen.

Sot është gjithashtu afati i fundit për dorëzimin e listave zgjedhore me të cilat partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.