Terri, shtrenjtimi i rrymës dhe tallja me duar në xhepa e Albin Kurtit

Vetëm pak orë pasi qytetarët morën lajmin se mund të ketë ngritje të çmimit të rrymës, kjo për herë të katërt që nga vitit 2022, periudhë kjo e pushtetit të tij, Albin Kurti ka vendosur të tallet sesa të bëjë qarën për krizën me energji elektrike. Është ankuar se “temperaturat nëpër dhoma i kemi më të nalta sesa është normale, kemi qef nxehtë”. Me dorën në xhep tek fliste, Kurti harroi se tash e tre muaj Kosova përballet edhe me mungesën e energjisë elektrike. Në pikë të dimrit.

Me rehatinë e pushtetit jolegjitim për gati një vit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti me dorën në xhep këtë të enjte është tallur me qytetarët kur ata vazhdojnë të përballen me terrin në net të ftohta si pasojë e reduktimeve të shpeshta dhe të gjata të energjisë elektrike.

Përveç territ e të ftohtit, Kurti ka zgjedhur të tallet se qytetarët i kanë dhomat më të ngrohta se sa temperatura normale dhe se kanë qejf të jenë nxehtë, kur të enjten në mëngjes është propozuar shtrenjtimi i rrymës për 21 për qind. Ky shtrenjtim, nëse miratohet, do të jetë hera e katërt prej vitit 2022, pra, gjatë mandatit të Kurtit si kryeministër, që Kosova përballet me ngritje çmimesh.

Kurti është tallur vetëm pasi me subvencionime të energjisë elektrike nxiti qytetarët që të braktisnin ngrohjen me dru, qymyr e pelet, për të blerë kondicionerë që funksionojnë me energji elektrike. Nuk i paralajmëroi se gjatë mandatit të tij do ta ndienin ftohtin edhe më fort si pasojë e mungesës së madhe të energjisë elektrike shkaku i ngarkesave e prodhimit të paktë në KEK.

“Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të nalta sesa është normale, kemi qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen, sa i përket rritjes ekonomike kjo ka me kërku energji”, ka deklaruar Kurti të enjten.

Tallja e tij është bërë vetëm pak vjet kur në një seancë të Kuvendit, hapur nuk e pranonte të vërtetën kur thoshte se çmimi i rrymës është aq i lirë sa qytetarët nuk e dinë sa paguajnë.

“Ka pasur numër më të madh sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dine se sa pagujnë për energjinë elektrike, aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur sa pagujnë. Nuk është e mundshme as të mos shtrenjtohet, as të mos subvencionet, as të mos ketë shkyqje”, deklaronte ai.

Ndërkaq në fushatën për marrjen e pushtetit, Kurti deklaronte se nuk mund të ketë shtrenjtim të rrymës kur “rrimë mbi tërë këtë energji që kemi”.

“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike sepse tepër shtrenjtë kur rrimë mbi tërë këtë energji që kemi”, thoshte ai në një debat fushate.

Refuzimi i investimeve amerikane

Pak kohë pasi kishte ndalur projektin gjigant për termocentralin “Kosova e Re”, investim amerikan që synonte të ndërpriste ndikimin rus në Ballkan, kryeministri i sapozgjedhur atë kohë me 2021, Albin Kurti, kishte tronditur për herë të dytë SHBA-në, kur vendosi ta refuzonte edhe projektin e saj për furnizim me gaz natyror.

Dalë nga dal, Kurti po realizonte planin që Kosova të varej tërësisht nga importimi i energjisë elektrike, për të cilin do të kujdeseshin shumë kompani tregtare të afërta me të dhe që më vonë doli se kanë fituar miliona euro në shitblerje të rrymës.

Në verën e vitit 2021, Qeveria e Kurtit refuzoi projektin madhor amerikan për ndërtimin e rrjetit të gazit natyror që kapte vlerën e 200 milionë dollarëve. Ky projekt ishte mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Refuzimi i Kurtit për gazin amerikan u bë në kohën kur Evropa po bënte përpjekje që të shkëputej nga varësia e gazit rus dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po pozicionoheshin si furnizuese strategjike në Ballkan.

Ky vendim është një prej lëkundjeve më të mëdha të orientimit strategjik të Kosovës që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.

Projekti i MCC-së parashihte financimin e një interkonektori gazi që do ta lidhte Kosovën me sistemin ndërkombëtar përmes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke krijuar kushtet për importimin e gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) nga terminalet Greqi ose në të ardhmen nga Vlora, Shqipëri.

Ky investim nuk do të krijonte vetëm infrastrukturë, por do të sinjalizonte përfshirjen gjithnjë e më të madhe të SHBA-së në arkitekturën energjetike të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Kurtit e refuzoi me arsyetimin se Kosova nuk ka treg të brendshëm as infrastrukturë të gatshme.

Kosova është krejtësisht e varur nga termocentralet me qymyr dhe nga importimi i energjisë elektrike. Shumica e rrymës së importuar vjen nga Serbia.

Gazi amerikan nuk do ta zëvendësonte menjëherë këtë sistem, por do të ofronte një “urë kalimi” drejt energjisë së pastër – një burim më i pastër sesa qymyri, më i shpejtë për t’u ndërtuar sesa burimet solare ose era, dhe më i sigurt sesa importi përmes rrjeteve të brishta rajonale.

Me këtë projekt, Kosova jo vetëm që do të forconte aleancën me SHBA-në, por do të zbehte ndikimin në një fushë ku Rusia tradicionalisht ka pasur ndikim, energjinë me gaz./Paparaci.com.