Tërnava takoi kreun e Ulqinit, flasin për migrimin në rritje

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Tërnava është pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.

Kryetari Nimanbegu e falënderoi Myftiun për vizitën dhe theksoi se aktualisht Ulqini është i mbushur me vizitorë nga Kosova.

“Vizita juaj në Ulqin është e një rëndësie të veçantë, sepse, siç dihet, ne kemi raporte të veçanta dhe lidhje të ngushta me Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha ai.

Nimanbegu shtoi se Komuna ka bashkëpunim të frytshëm me Myftininë e Bashkësisë Islame në Ulqin, dhe shprehu shqetësimin e tij për migrimin në rritje të popullsisë nga këto treva.

Nga ana e tij, Myftiu Tërnava theksoi se Ulqini, për të dhe për qytetarët e Kosovës, është një vend i veçantë dhe me ndjesi të posaçme.

Ai shprehu gatishmërinë për të kontribuar në bashkëpunim me Myftininë në Ulqin në përgatitjen e kuadrove, mbështetjen me literaturë, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Duhet bërë më shumë në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe fetar. Duhet kushtuar rëndësi fillimisht ruajtjes së gjuhës, sepse gjuha është elementi më dallues i identitetit të një populli”, theksoi ai.

The post Tërnava takoi kreun e Ulqinit, flasin për migrimin në rritje appeared first on Kosovapost.net.