Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka kritikuar ashpër liderët për ngërçin politik.
Duke ironizuar me mospajtimet e tyre për themelimin e institucioneve, ai ka bërë me dije se liderët politik janë bërë për hajmali.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka bërë thirrje për unitet.
Sipas tij, ata duhet t`i tejkalojnë interesat e tyre personale.
“Po me doket që duhet me u shkru një hajmali, një hajmali kogja të gjatë ndoshta ju bën mirë. Sigurisht se kjo gjendje shqetëson çdonjërin prej neve. Ne duhet te kemi institucione sa më shpejt, ne nuk jemi shtet i fort si Italia, Gjermania apo Zvicra, por jemi Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ai ka vlerësuar se mospajtimet partia duhet të tejkalohen për shkak të interesit nacional.
“Politikanët duhet ta gjejnë gjuhen e përbashkët, gjuhen e dialogut. Sepse kjo është e vetmja rrugë që e qon Kosovën përpara. Mospajtime partiake nuk guxojnë ta prekur asnjëherë interesin nacional të Kosovës. Duhet të tejkalohen ato ngërçet politike, sepse Zoti këtu na ka falë, banorë të këtyre trojeve jemi ne”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se edhe në takimet që ka pasur me kryetarët e partive politike i ka ftuar për reflektim.
“Kush i bën keq vendi do të jap përgjegjësi para Zotit. Edhe politikanët kanë me dhënë përgjegjësi para Zotit , nëse i bëjnë me qëllim keq këtij vendi. Unë si myfti i kam ftuar dhe i ftoj vazhdimisht që ata sa më shpejt të merren vesh mes veti”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për çështjen e islamofobisë në Kosovës.
Sipas tij, fyerjet dhe sharjet ndaj fesë e disa individëve ndaj fesë islame janë shtuar.
“Nuk ka vend me më shumë islamofobi se Kosova, prokuroria është dashur të vepronte ndaj fyerjeve”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe aktivitetin lobues të BIK-ut për njohjet e Kosovës.










