Tërmeti tronditës në Mianmar: Mbi 1 mijë e 600 të vdekur, OKB alarmon për mungesë ndihmash

Mungesa e furnizimeve mjekësore po vështirëson reagimin ndaj tërmetit shkatërrues që goditi Mianmarin të premten, ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Sipas raportimeve, tërmeti me magnitudë 7.7 ka shkaktuar mbi 1,600 viktima, ndërsa kërkimet për të mbijetuarit po vazhdojnë. Lëkundjet e fuqishme janë ndier edhe në vendet fqinje, përfshirë Tajlandën.

Në Bangkok, autoritetet kanë gjetur trupin e 12-të nën rrënojat e një ndërtese të shembur, ndërsa në qytetin Mandalay të Mianmarit, një grua është shpëtuar gjallë pas 30 orësh e bllokuar në rrënoja.

Ndërkohë, për shkak të situatës së rëndë, Qeveria e Unitetit Kombëtar – e cila ndodhet në mërgim për shkak të juntës ushtarake – ka shpallur një pauzë dyjavore në operacionet ushtarake sulmuese në zonat e prekura nga tërmeti.