Tërhiqen nga funksioni njehsorë që regjistronin energjinë në kohë të pasaktë

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Tregut, ka identifikuar dhe tërhequr nga përdorimi disa njehsorë elektrikë që dyshohet se matin në mënyrë të pasaktë kohën e konsumit të energjisë. Pajisjet janë dërguar për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, ndërsa rezultatet priten së shpejti.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin ankesa për raste të dyshimta, teksa janë regjistruar rreth 70 ankesa deri më tani. Sipas Agjencisë së Metrologjisë, njehsorët me mospërputhje do të zëvendësohen përkohësisht deri në përfundim të verifikimit.

Ndërkohë, KEDS ka mohuar pretendimet për matje të pasakta, duke theksuar se të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet dhe se devijimet e mundshme janë vetëm teknike, jo manipulim. Kompania ka premtuar kompensim për çdo rast të vërtetuar të gabimeve.

Çështja është ngritur fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pretendon se një numër i madh njehsorësh matin gabimisht energjinë në dëm të konsumatorëve dhe ka paralajmëruar kallëzim në Prokurorinë Speciale. Kritikë ndaj institucioneve ka pasur edhe për reagim të vonuar ndaj ankesave të qytetarëve./koha