Rasti Marc-André ter Stegen është kthyer një temë e nxehtë në Barcelonë. Portieri gjerman, një simbol i viteve të fundit të klubit “Blaugrana” dhe kapiten deri në dëmtimin e tij të rëndë në fillim të sezonit të kaluar, tani është në periferi të projektit të trajnerit Hansi Flick.
Kampionët spanjollë duan të kthejnë një faqe të re në portë edhe pse numri 1 i ekipit kombëtar gjerman nuk ka ndërmend të largohet. Prej disa ditësh, ter Stegen është stërvitur veçmas nga grupi, një shenjë e qartë e përçarjes së vazhdueshme.
Tërheqja e litarit midis portierit dhe klubit sapo ka filluar dhe rrezikon të bëhet një nga çështjet më të nxehta të afatit kalimtar të verës. Lothar Matthaus ka ndërhyrë në këtë çështje. Në një intervistë me mediat gjermane, legjenda i dërgoi një mesazh të qartë bashkatdhetarit të tij.
“Nëse dëshiron të luajë në Kupën e Botës me kombëtaren duhet të largohet. Ai e di shumë mirë se nuk do të luajë për Barcelonën dhe, për t’u bërë gati për ekipin kombëtar, duhet të gjejë minuta diku tjetër. Nuk është faji i Hansi Flick, por i klubit. Dhe askush nuk është më i madh se Barcelona“, tha Matthaus.
Më tej ai shtoi: “E kuptoj Ter Stegen. Ai ishte kapiten, luajti mirë, ka familje në Barcelonë por ai duhet të pranojë që klubi ka plane të tjera. Kjo është pjesë e futbollit.” Një thirrje e fortë nga ish-fituesi i Topit të Artë, e cila mund të shënojë një pikë kthese në telenovelën.
The post “Ter Stegen duhet të largohet nga Barcelona nëse dëshiron të luajë në Botëror me Gjermaninë” appeared first on Telesport.