Mund të zbutet tensioni i krijuar rreth çështjes së Marc-André Ter Stegen. Portieri i Barcelonës, i cili iu nënshtrua një operacioni në shpinë më 29 korrik, duhej të nënshkruante një dokument që do t’i dërgohej Komisionit Mjekësor të La Liga-s, me qëllim që klubi të merrte leje për të transferuar një portier të ri.
Çështja qëndron te koha e rikuperimit të gjermanit. Sipas klubit katalanas, riaftësimi do të zgjaste 4-5 muaj, periudhë që do ta lejonte Barçën ta zëvendësonte zyrtarisht portierin në fjalë, por për Ter Stegen, rikthimi do të jetë i mundur brenda 3 muajsh, gjë që e bën të pamundur afrimin e një zëvendësuesi sipas rregullave të ligës.
Kjo përplasje interpretimesh ka shkaktuar jo pak tension, pikërisht në ditën kur skuadra është kthyer nga turneu në Azi. Sipas “Mundo Deportivo” do të hapet një procedim disiplinor ndaj portierit gjerman, por në të njëjtën kohë, Barcelona mban ende shpresë se Ter Stegen do të reflektojë dhe do të japë miratimin për versionin mjekësor të paraqitur nga klubi. Pritet një takim sapo skuadra të rikthehet në Katalonjë, ndoshta që këtë pasdite, ose më së voni nesër.
Në prapaskenë ndihet pakënaqësia e presidentit Joan Laporta, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë në këtë situatë delikate. Shpresa e tij është që Ter Stegen, me qetësi, ta rishqyrtojë qëndrimin dhe ta firmosë dokumentin, duke marrë parasysh edhe pasojat që do të kishte një refuzim, përfshirë rrezikun e humbjes së shiritit të kapitenit.
The post Ter Stegen bën rebelin, Barcelona e kërcënon me procedim disiplinor appeared first on Telesport.