Teorikisht ka edhe një shans për formimin e qeverisë, por zgjedhjet janë më reale, sot u përmendën edhe datat

Albin Kurti thoshte “i kemi votat” dhe se këtë do ta dëshmonte “posa të konstituohet Kuvendi”. Por sot dështoi ta krijonte një shumicë prej 61 deputetësh në Kuvend dhe përbërja e qeverisë së re, e propozuar prej tij, nuk mori më shumë se 56 vota.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili i kishte konsideruar zgjedhjet e 9 shkurtit “referendum historik” dhe kërkonte “o krejt o asgjë”, mori 42% të votave, dhe kundërshtarët e tij politikë i quajti “hajvanë” natën e zgjedhjeve, ndërsa më pas i ftoi

Ai nuk mundi të gjejë një partner qeverisës, me shumicën e partive shqiptare që ishin shprehur kundër një koalicioni qeverisës me këtë parti, siç tregoi vetë Kurti sot gjatë ekspozesë.

“Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bëmë ftesë nuk ka pranuar që të hyjë në bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar që të kishte koalicion. Po të pranohej oferta, sot do t’i kishim ofruar vendit qeverinë, por do ta kishim numrat që ta kalonim edhe sfidën e presidentit”, tha ai.

Rezultati: Për herë të parë në historinë parlamentare të Kosovës, një qeveri dështon të zgjidhet pas prezantimit në Kuvend nga i mandatuari.

Presidentja Vjosa Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime “gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”, i tha Gazetës Express, Bekim Kupina, këshilltar për Media në zyrën e presidentes.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës – e cila doli e dyta në zgjedhje – Memli Krasniqi kërkoi që “të shkohet në zgjedhje të parakohshme sa më parë”.

“Nëse na fton Presidentja nesër. Pyetja e saj do të jetë ‘a keni shumicë të re?’. Unë do t’i përgjigjem menjëherë që jo dhe nuk do të tentojmë ta bëjmë, sepse një gjë e tillë nuk është e mundshme”, tha ai

Pas zgjedhjeve të ardhshme, të cilat ai pret se Kurtit “do t’ia japin përgjigjen e merituar”, Krasniqi u shpreh se do të përpiqet ta krijojë qeverinë e re pa LVV-në. Ai tha se “Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës” dhe se “epoka e qeverisjes së tij ka marrë fund”.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmendi zgjedhjet e reja.

“Na keni thënë ‘numrat i kemi’, na keni bllokuar për tetë muaj një shtet të tërë, urdhëroni, mateni veten me numra demokratik në këtë legjislaturë. Çdo arsyetim tjetër është dërgesë drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, tek të cilat po shkojme, siç duket, të gjithë”, tha ai në Kuvend, para se të hedhej në votim përbërja e qeverisë e prezantuar nga Kurti.

Zgjedhjet e reja i kanë parasysh edhe në LVV. Kurti para disa ditësh në një takim me mërgimtarë në Londër, tha “ose do ta bëjmë ne qeverinë, ose do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se nëse partitë refuzojnë marrjen e mandatit, Presidentja “ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja”.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës përmendi 14 dhjetorin dhe 21 dhjetorin si datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ndërsa Cakolli ka përmendur edhe 30 nëntorin dhe 7 dhjetorin.

PDK-ja fillimisht donte ta priste dështimin e mundshëm të LVV-së për të provuar më pas që qeverinë e re ta bëjë pa këtë parti. Këtë e shpresonte edhe AAK-ja, por kjo ide u shpërbë shpejt kur të njëjtin disponim s’e shfaqi LDK-ja.

Kurti, që i kishte dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut ftesa për bashkëqeverisje – u refuzua dy herë, ndërsa e refuzoi vetë një propozim të partisë më të vjetër në vend për formimin e një qeverie të unitetit, duke e pamundësuar edhe shqyrtimin e mëtejmë të kësaj ideje nga partitë tjera.