Një tentim-grabitje ka ndodhur të hënën në hapësirat e jashtme të Qendrës Tregtare “Albi Mall” në Veternik.
Cak i hajnave kishte qenë një automjet i kompanisë së sigurimit që bartte para.
Mes punëtorëve të sigurimit dhe grabitësve pati shkëmbim zjarri, ku u plagosën dy persona, nga një prej secilës palë.
Grabitësit ikën me automjetin “Pick Up” nga vendi i ngjarjes pa arritur të marrin asgjë.
Automjeti që kishte targa gjermane u gjet i djegur nga policia në Çagllavicë.
Dyshohet se pas djegies, personat e dyshuar përdoren edhe një automjet tjetër për t’u arratisur.
Klankosova.tv mëson se vetura e cila dyshohet se u përdor nga ata është gjetur në Llapnasellë të Graçanicë, ku u gjet edhe armë e uniformë ushtarake.
Aktualisht, lidhur me ngjarjen një person është nën arrest ( i dyshuari i nacionalitetit serb), i plagosur në këtë ngjarje, derisa tre të tjerë janë në arrati.
Gjendja e dy të plagosurve aktualisht paraqitet e rëndë të cilët po trajtohen në Mjekimin Intensiv Qendror të QKUK-së.