Ka dështuar për herë të 32-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Përveç VV-së, partitë tjera politike nuk propozuan anëtarë për Komisionin për Votim të fshehtë, shkruan Reporteri.net.
Në sallë ishin të pranishëm 75 deputetë.
Vetëm 45 deputetë votuan për, kundër 1 dhe abstenim s’kishte.
Seanca e radhës do të jetë më 17 qershor.
Vetëvendosje këmbëngul të mos ndryshojë as emrin e propozuar dhe as formën e votimit.
PDK dhe AAK kanë kërkuar emër të ri nga VV, ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat të saj.
Presidentja Vjosa Osmani deri tani ka mbajtur dy takime konsultative me liderët politikë për të diskutuar konstituimin, ndersa pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar zgjidhje ligjore për bllokadën.
/Reporteri/
Berisha: Secili mandatar që i siguron 60, e ka edhe votën time

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane është deklaruar para mediave pak para nisjes së seanvës.
“Po shihemi se në çfarë situate është bota, ne merremi me konstituim të kuvendit”, tha ai.
Berisha tha se nuk ndihet mirë për situatën e krijuar në Kuvend.
“Si duket partive të mëdha po iu konvenon kjo situatë”, shtoi ai.
Berisha u pyet edhe për deklaratën e Memli Krasniqit se ai mund t’i sigurojë 10 vota të pakicave pa Listën Serbe.
“Si deputet i PLE’së, secili mandatar që i siguron 60 e ka edhe votën time, votën për interes të shtetit. Nuk jam bllokues, d.m.th. le ti siguron secili e të ecim para sepse kjo s’ka kuptim”, tha ai.
Çeku: Partitë tjera s’po votojnë dhe po e mbajnë peng Kuvendin

Deputeti i VV-së, Hajrullah Çeku i ka bërë thirrje partive politike që të dalin hapur me qëndrimin e tyre dhe të mos pengojnë funksionimin institucional, shkruan Reporteri.net.
“Nëse nuk e duan votimin e fshehtë, duhet të deklarohen partitë e tjera. Partitë tjera s’po votojnë dhe janë duke na mbajtur peng,” tha Çeku, duke lënë të kuptohet se mungesa e vullnetit për të marrë pjesë në proces është kthyer në një formë të re të bllokadës politike.
“Duhet të thirremi në arsye dhe në përgjegjësi para qytetarëve dhe ligjit. Është detyrim i 120 deputetëve”, tha Çeku.
/Reporteri.net/
Kadrijaj: VV-së po i pëlqen kjo bllokadë, po humbet imazhi i Kosovës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj situatës së zvarritjes së proceseve institucionale në vend, duke e quajtur të papranueshme bllokadën aktuale politike.
Sipas saj, mungesa e angazhimit serioz nga një parti politike – të cilën ajo nuk e përmend drejtpërdrejt – është duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.
“As mend nuk e kemi bërë secila parti që ka synuar ta ketë, partitë janë angazhuar maksimalisht. Ne nuk po shohim ndonjë angazhim, vetëm po shohim që po i pëlqen kjo bllokadë. Shkelin ligje kushtetuese, ende jemi në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, vërtetë nuk ka kuptim – në këtë formë po humbet imazhi i Kosovës, nuk ka interes as nga partnerët tanë. Të presim vendimin e gjykatës dhe një reflektim të kësaj partie,” tha Kadrijaj.
Ajo kërkoi reflektim nga të gjithë aktorët politikë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si themel i funksionimit demokratik të vendit.
Konstituimi i Kuvendit, Haxhiu thotë se varet nga opozita

Deputetja e VV-së, njëherit kandidatja e kësaj partie për Kryeparlamentare, Albulena Haxhiu para fillimit të seancës konstituive ka thënë se gjithçka “varet nga partitë opozitare”, shkruan Reporteri.net.
Haxhiu për 31 herë nuk arriti t’i marrë 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
VV po vazhdon të insistojë në kandidaturën e saj, ndërsa PDK dhe AAK kanë deklaruar që nëse partia e parë ndryshon emrin ata mund të votojnë për Kryeparlamentarin.
Në anën tjetër, LDK-ja s’do të votojë asnjë kandidat të kësaj partie.
/Reporteri.net/
“Ju lus, bojkotoni deputetët”, Koci sërish proteston sot para Kuvendit

Avokati Arianit Koci ka paralajmëruar se edhe sot do të protestojë para Kuvendit të Kosovës.
Ai, përmes një postimi në Facebook, u bëri lutje qytetarëve që të bojkotojnë deputetët e zgjedhur.
“E dimë paraprakisht: as sot, për të 32-tën herë, deputetët nuk do të merren vesh. Një tjetër ditë e humbur. Një tjetër dëshmi se shteti po shpërbëhet – jo prej ndonjë lufte, por prej inatit dhe papërgjegjësisë. Pa Parlament s’ka ligje, pa ligje s’ka rend, s’ka shtet. Ka vetëm zvarritje, kaos dhe heshtje. Qeveria është në detyrë, por pa kontroll. Vendimet mungojnë, llogaridhënia nuk ekziston, institucionet janë të ngrira – vendi i bllokuar. E gjithë kjo, sepse ata – thjesht – mund të sillen kështu. Po sillen kështu me neve, sepse ne po i lejojmë. Po munden. Po na manipulojnë. Dhe ne po heshtim. Nuk ka më justifikime. Është koha të jemi më aktivë, më të vetëdijshëm, më të zëshëm. Sepse nëse nuk e marrim ne situatën në dorë, ata nuk do të bëjnë asgjë për ta zgjidhur”.
“Sot, së paku – një hap simbolik: t’i përcjellim me emër e mbiemër. Të dimë qartë: a janë në seancë, apo në ndonjë resort pushimi? T’ua prishim këtë të diel, sepse ata po na e prishin jetën. Na kanë uzurpuar të ardhmen. Unë ndërkohë – po përgatitem. Sepse do të vijë protesta e madhe. Në takimin e 50-të të deputetëve – do të jem aty. Atëherë, askush nuk do të mund të fshihet më. As pas dyerve të Kuvendit, as pas fjalëve boshe që s’thonë asgjë. Sepse mjaft kemi pritur. Mjaft kemi heshtur. Tani – është koha për veprim. Për ndëshkim moral. Për përgjegjësi politike. Deri atëherë, deri në herën e 50-të, le të ekspozohen në marre, në dështim, në heshtje, në ikje nga përgjegjësia”, ka shkruar Koci.
“Prandaj, nëse doni me i ndalë, filloni prej vetes: ju lus – bojkotoni deputetët. Mos i dëgjoni. Mos i trajtoni si përfaqësues. Trajtoni si pazargjinj të vegjël, me madate të mëdha. Sepse derisa nuk e formojnë Parlamentin – nuk përfaqësojnë askënd. As ju. As mua. As Kosovën. Heshtja e jonë – fuqia e tyre”.
Bllokada në Kuvendin e Kosovës, betejë pa fitues qe dy muaj për Kryeparlamentarin

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 11:00 për herë të 32-të që nga 15 prilli, në një tjetër përpjekje për konstituim, shkruan Reporteri.net.
Procesi ka ngecur për shkak të pamundësisë për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, ku Albulena Haxhiu, e propozuar nga Vetëvendosje për Kryeparlamentare, s’ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme në asnjë nga votimet.
Partitë politike kanë refuzuar të mbështesin kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare dhe janë kundër votimit të fshehtë.
Vetëvendosje këmbëngul të mos ndryshojë as emrin e propozuar dhe as formën e votimit.
PDK dhe AAK kanë kërkuar emër të ri nga VV, ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat të saj.
Presidentja Vjosa Osmani deri tani ka mbajtur dy takime konsultative me liderët politikë për të diskutuar konstituimin, ndersa pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar zgjidhje ligjore për bllokadën.
/Reporteri/