Tenderi për mirëmbajtjen e ndërtesave qeveritare rekomandohet të kthehet sërish në rivlerësim: Eksperti i OSHP-së gjen shkelje serioze

Një tender i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me vlerë rreth 240 mijë euro, është kthyer sërish në pikën zero, pasi eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka konstatuar shkelje të rënda ligjore në procesin e rivlerësimit dhe ka rekomanduar anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës për Lotin II, shkruan Demokracia.com.

Fjala është për aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja teknike e ndërtesave qeveritare”, ku përkundër një vendimi të mëhershëm të OSHP-së që e kishte kthyer lëndën në rivlerësim per lot II, Ministria e Punëve të Brendshme ka dështuar ta zbatojë atë në përputhje me ligjin.

Vendimi i OSHP-së u injorua

Eksperti shqyrtues, Burim Zeka, ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues nuk i ka adresuar rekomandimet obligative të dala nga vendimi paraprak i OSHP-së (PSH 2025/0850), duke vepruar në kundërshtim me nenin 40 të Rregullores për Prokurimin Publik.

Në vend që të kryhej një rivlerësim substancial dhe i arsyetuar, ministria ka përsëritur të njëjtat gabime, duke e lënë procesin pa analizë të detajuar dhe pa transparencë.

Referenca jashtë afatit dhe kontrata pa prova

Një nga shkeljet kryesore ka të bëjë me referencat e Operatorit Ekonomik të rekomanduar për kontratë “Ejona SH.P.K.”.

Sipas raportit të ekspertit janë dorëzuar 51 projekte, por një pjesë e madhe e tyre nuk i përkasin periudhës së fundit trevjeçare, siç kërkohet nga Dosja e Tenderit. Po ashtu, disa referenca nuk janë të përfshira në listën e kontratave të nënshkruara nga operatori. Ndërsa për një numër kontratash mungojnë  referencat përkatëse.

Përkundër këtyre mangësive, Ministria nuk ka identifikuar konkretisht se cilat kontrata i konsideron të vlefshme, duke dhënë vetëm një vlerësim të përgjithshëm se “kërkesat janë përmbushur”.

Eksperti vlerëson se kjo qasje është në kundërshtim me Interpretimin e KRPP-së të datës 09.06.2023, i cili kërkon analizë individuale dhe të argumentuar të secilës referencë.

Standarde të dyfishta në trajtimin e operatorëve

Raporti nxjerr në pah edhe trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë, një nga shkeljet më serioze në procedurat e prokurimit publik.

Ndërsa për Lotin I një operator tjetër është eliminuar për mungesë të validitetit të vazhdueshëm të dokumenteve, për Lotin II Ministria:

ka toleruar shkëputje të validitetit të OE të rekomanduar nga data 13 deri më 16 tetor 2025;

ka pranuar sqarime të dorëzuara jashtë afatit zyrtar;

dhe, pavarësisht mosrespektimit të afateve, operatori nuk është penalizuar.

Sipas ekspertit, kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të barazisë dhe trajtimit të drejtë, të garantuar me Ligjin për Prokurimin Publik.

Për shkak të këtyre shkeljeve të akumuluara, eksperti i OSHP-së ka vlerësuar se ankesa e “AVAG GROUP SH.P.K.” është e bazuar, duke i propozuar Panelit Shqyrtues: anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës për Lotin II dhe kthimin e lëndës në rivlerësim të plotë dhe të ligjshëm. Për këtë tender, për herë të dytë pritet të marrë vendim Paneli i OSHP-së, i cili i ka ‘letrat në dorë’ për të shqiptuar edhe vërejtje ndaj zyrtarit kryesor të prokurimit të MPB-së për mosrespektim të vendimit të mëparshëm, nëse konstatohen shkelje. /Demokracia.com/