Një tender që kishte për qëllim t’i largonte shpezët nga objektet e KEK-ut përfundoi duke u ngujuar për më shumë se një vit në procedura, rivlerësime dhe anulime pa bazë ligjore. Me arsyetimin se “nuk i duhet më njësisë kërkuese”, aktiviteti u anulua pasi ofertat ishin vlerësuar si të rregullta, por Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka rrëzuar këtë vendim dhe e ka kthyer gjithë procesin në rivlerësim, shkruan Demokracia.com.
Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka rrëzuar vendimin e Korporatës Energjetike të Kosovës për anulimin e aktivitetit të prokurimit “Liferimi dhe montimi i pajisjeve për largimin e shpezëve”, duke konstatuar se anulimi është bërë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Prokurimin Publik dhe pas tejkalimit të të gjitha afateve të përcaktuara ligjore.
Sipas vendimit të datës 6 janar 2026, OSHP ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Bionics” SH.P.K., ka anuluar njoftimin B58 të KEK-ut mbi anulimin e procedurës dhe ka urdhëruar që lënda të kthehet në rivlerësim, duke obliguar njëkohësisht Autoritetin Kontraktues që brenda dhjetë ditësh ta njoftojë OSHP-në për veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet.
Nga raporti rezulton se KEK kishte publikuar njoftimin për kontratë më 21 nëntor 2024, duke iniciuar procedurë të hapur për furnizim dhe montim të pajisjeve për largimin e shpezëve, me vlerë të parashikuar të kontratës prej 35 mijë euro. Procedura kishte avancuar deri në fazën e vlerësimit të ofertave, ku operatori ekonomik ankues ishte shpallur i përgjegjshëm dhe ishte rekomanduar për dhënie të kontratës nga komisioni vlerësues, rekomandim i cili ishte aprovuar edhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës Ekzekutive të Prokurimit në KEK.
Megjithatë, ndonëse vlerësimi kishte përfunduar, procedura nuk u mbyll me shpallje fituesi, por u zvarrit për muaj të tërë përmes kërkesave të përsëritura për zgjatjen e validitetit të ofertës dhe sigurimit të ofertës. Sipas raportit të OSHP-së, Autoriteti Kontraktues kishte kërkuar tri herë radhazi zgjatje të validitetit, duke e çuar kohëzgjatjen totale të procedurës në mbi 300 ditë, edhe pse rregullorja për prokurimin publik parasheh që vlerësimi dhe nxjerrja e vendimit të përfundojnë brenda një afati shumë më të shkurtër.
Pas kësaj zvarritjeje, KEK kishte kthyer lëndën në rivlerësim, kishte formuar një komision të dytë vlerësues dhe, ndonëse edhe ky komision e kishte vlerësuar ofertën e operatorit ankues si të përgjegjshme dhe brenda fondeve të zotuara, kishte rekomanduar anulimin e procedurës me arsyetimin se njësia kërkuese kishte tërhequr ose pushuar kërkesën për këtë furnizim. Ky rekomandim ishte aprovuar dhe më 7 nëntor 2025 ishte publikuar vendimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Paneli Shqyrtues i OSHP-së, duke u mbështetur në raportin e ekspertit shqyrtues dhe në administrimin e të gjitha provave, ka konstatuar se ky arsyetim nuk përbën bazë ligjore për anulimin e një procedure të prokurimit që tashmë ka kaluar fazën e vlerësimit. Në raport theksohet se neni 62 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton në mënyrë taksative vetëm tri rrethana në të cilat një aktivitet i prokurimit mund të përfundojë pa dhënien e kontratës, dhe se një kërkesë e njësisë kërkuese për tërheqje, e bërë pas përfundimit të vlerësimit, nuk është e paraparë me asnjë dispozitë ligjore.
Sipas vlerësimit të OSHP-së, në këtë rast nuk është evidentuar asnjë shkelje ligjore që do ta bënte anulimin të detyrueshëm, ofertat e përgjegjshme nuk e kanë tejkaluar buxhetin e paraparë dhe ndërprerja e procedurës nuk ka ndodhur para hapjes së tenderëve, por pas përfundimit të vlerësimit, çka e përjashton mundësinë e anulimit sipas pikave përkatëse të nenit 62 të LPP-së. Për më tepër, Paneli ka konstatuar se KEK ka tejkaluar afatet ligjore të prokurimit, duke e mbajtur procedurën të hapur për më shumë se një vit pa ofruar arsye të mbështetura në ligj për një veprim të tillë.
Në përfundim, OSHP ka vlerësuar se veprimet e Autoritetit Kontraktues kanë qenë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, për çka ka vendosur që njoftimi për anulimin e procedurës të shfuqizohet dhe lënda të kthehet në rivlerësim, duke i shqiptuar njëkohësisht vërejtje KEK-ut që në të ardhmen t’u përmbahet në tërësi dispozitave ligjore gjatë zhvillimit të procedurave tenderuese.
Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë administrative, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Komerciale në Prishtinë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
Pra, nga rrjedha e procedurës dhe gjetjet e OSHP-së, del se anulimi i tenderit nuk erdhi si pasojë e ndonjë pengese ligjore apo financiare, por më tepër si përpjekje për ta mbyllur një proces të zvarritur dhe tashmë të papërfundueshëm sipas afateve dhe rregullave që vetë ligji i prokurimit i përcakton.
Nga ana tjetër, Zyra e Prokurimit e KEK-ut po përballet me probleme të shumta ligjore, pasi OSHP, në një rast të veçantë, ka kërkuar tërheqjen e licencës profesionale të ish-zyrtarit kryesor të prokurimit, ndërsa në dy procese të ndara i ka shqiptuar vërejtje zyrtarit aktual kryesor të prokurimit. /Demokracia.com/










