Tenderi për dokumentarin e AGJBK-së i fituar nga një kompani e re, e lidhur me ish-bashkëpunëtorë të shefit të kabinetit të Kryeministrit

Zyra e Kryeministrit ka realizuar një procedurë të vogël prokurimi për prodhimin e një dokumentari në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Barazi Gjinore (AGJBK), shkruan Demokracia.com.

Fitues i kësaj kontrate me vlerë 4,720 euro është kompania Purple Consulting SH.P.K, e cila është rekomanduar për realizimin e projektit.

Sipas të dhënave të publikuara në Regjistrin e Bizneseve (ARBK), kjo kompani është themeluar në nëntor të vitit 2023. Aksionarë të saj janë Ardian Jashari dhe Florjana Bajraj, secili me nga 50 për qind të aksioneve.

Ardian Jashari dhe Florina Bajra kanë qenë më parë të përfshirë si themelues në kompaninë konsulente MDA – Management and Development Associates në Kosovë, e cila ndër vite ka zhvilluar projekte të ndryshme në fushën e zhvillimit dhe konsulencës. Sipas informacioneve publike, një nga menaxheret e kësaj kompanie ka qenë edhe Luan Dalipi, aktualisht shef i kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti.

Në strukturën aktuale të pronësisë së MDA në Kosovë figuron vetëm Driton Dalipi, vëllai i Luan Dalipit. Po ashtu, në fund të vitit të kaluar, Jashari dhe Bajraj kanë regjistruar në Shqipëri një kompani tjetër me emrin MDA Albania.

Ndërkohë, edhe Zyra e Presidentes së Kosovës ka bashkëpunuar me kompaninë Purple Consulting SH.P.K. Në mars të këtij viti, kjo zyrë ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 6,608 euro për “shërbime për performancë artistike për nevoja protokollare”.

Më herët, në tetor të vitit 2023, Zyra e Presidentes kishte nënshkruar një kontratë tjetër me këtë kompani, me vlerë rreth 80 mijë euro, për realizimin e materialeve vizuale dhe të tjera në kuadër të aktiviteteve të komunikimit publik dhe marrëdhënieve me publikun. Sipas specifikimeve të kontratës, shërbimet përfshijnë prodhimin e videove dhe fotografive me fokus rritjen e prezencës publike të Presidentes.

DOKUMENT | Vjosa Osmani në kërkim të vëmendjes, jep 80 mijë euro për video e foto

Edhe pse tenderët nuk janë të mëdhenj në vlerë, ato tregojnë se kompania e re po fillon të depërtojë gradualisht në tregun e kontratave publike./Demokracia.com/