Tenderi për autobusë nuk është në vlerësim, siç tha ish-nënkryetari Zogaj, por në fazën e ofertimit

Ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka bërë të ditur se së shpejti do të nënshkruhet kontrata për 30 autobusë të rinj. Megjithatë, pa dhënë një datë të saktë se kur do të arrijnë në Prishtinë, ai ka shprehur shpresën se kjo do të ndodhë brenda këtij viti, shkruan Demokracia.com.

Zogaj ka thënë se Trafiku Urban po udhëheq procesin e prokurimit dhe se pas shqyrtimit të ofertave, do të bëhet vlerësimi i tenderit. Por, Demokracia.com ka parë se tenderi nuk është ende në fazën e vlerësimit të ofertave, por në procesin e pranimit të tyre. Kjo do të thotë se “Trafiku Urban” është duke pritur ofertat nga operatorët ekonomikë, siç ishte planifikuar.

“Tenderi është i hapur dhe Trafiku Urban po e udhëheq procesin e prokurimit. Menjëherë pas shqyrtimit të ofertave, do të bëhet vlerësimi i tenderit. Ne shpresojmë dhe besojmë shumë që autobusët do të arrijnë këtë vit në Prishtinë. Procedura ka zgjatur, dhe jemi të zhgënjyer e të shqetësuar për gjithë këtë proces, por tani jemi afër nënshkrimit të kontratës dhe nuk kemi qenë kurrë kaq afër,” ka thënë Zogaj për Indeksonline javën e kaluar.

Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” ka hapur më 2 shkurt dy tenderë për blerjen e 30 autobusëve të rinj:

  • “Prokurimi i autobusëve me naftë Euro VI”, ku synohet blerja e 24 autobusëve.
  • “Prokurimi i autobusëve elektrikë me bateri, duke përfshirë infrastrukturën për ngarkimin e tyre”, për 6 autobusë elektrikë.

Të dy tenderët janë publikuar në faqen zyrtare të BERZH-it, në portalin e prokurimit elektronik ECEPP (ecepp.ebrd.com). Afati për dorëzimin e ofertave është 2 prilli 2025, dhe vetëm pas kësaj date pritet të nisë vlerësimi i tyre.

“Kontratat do të nënshtrohen Rregullave dhe Politikave të Prokurimit të Bankës dhe janë të hapura për kompani nga çdo vend, përveç rasteve kur dokumentet e prokurimit specifikojnë ndryshe. Përshkrimi i plotë i procesit të prokurimit është i disponueshëm brenda dokumentacionit dhe mund të aksesohet falas në ECEPP”, thuhet në njoftimin për kontratë të dy tenderëve.

Megjithatë, në njoftimin për tenderin nuk është e mundur të shihet publikisht lista e kritereve të vendosura për operatorët ekonomikë.

Ndërmarrja komunale e Prishtinës “Trafiku Urban” dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar  një marrëveshje, e cila ka të bëjë me blerjen e 30 autobusëve të rinj. /Demokracia.com/