Tenderi i “parapathë” i ish-ministrit Peci: OSHP shkel afatet ligjore dhe “nuk po arrin t’ia lidhë kryet”

Tenderi për rrënimin e objekteve ekzistuese, në parcelën ku planifikohet ndërtimi i objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, është shndërruar në një procedurë të bllokuar pa afat dhe pa epilog. Edhe pse Ligji për Prokurimin Publik përcakton qartë hapat, afatet dhe përgjegjësitë institucionale, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ende nuk ka nxjerrë vendim përfundimtar, ne ankesën e fundit të kompanive, duke e lënë tenderin pezull për një periudhë që i tejkalon shumëfish afatet ligjore, shkruan Demokracia.com.

Tenderi për rrënimin e objekteve ku planifikohet të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kishte hyrë në një fazë të re tensioni ligjor, pasi dy operatorë ekonomikë kanë ushtruar ankesa të reja duke akuzuar ministrinë për vendosje të kritereve diskriminuese dhe të kundërligjshme.

Që më datë 16 dhe 17 tetor, kompania Tempo 2 shpk dhe Mendi Invest ushtruan ankesa të reja, pas disa tjerave në OSHP. Ankesën e Mendi Invest, OSHP e hodhi poshtë si të jashtë afatshme, por për tjetrën nuk po ‘guxon’ të nxjerr vendim.

Ankesa të operatorëve ekonomikë janë pranuar nga OSHP, është caktuar ekspert shqyrtues, por procesi është ndalur pikërisht aty ku ligji kërkon vendimmarrje.

Ligji për Prokurimin Publik nuk lë hapësirë për improvizime. Pasi OSHP konstaton se ankesa është e rregullt, ajo ka obligim ligjor të caktojë ekspert dhe panel shqyrtues, ndërsa eksperti duhet që brenda dhjetë ditëve të dorëzojë raportin e tij. Më pas, autoriteti kontraktues ka vetëm katër ditë për t’u deklaruar, e nëse nuk vepron, çështja automatikisht kalon për vendimmarrje te paneli shqyrtues i OSHP-së.

Në rastin e tenderit për rrënimin e objekteve të Ministrisë së Bujqësisë, kjo fazë është tejkaluar, por vendimi përfundimtar nuk ka ardhur. Neni 117 i Ligjit për Prokurimin Publik është i prerë: OSHP duhet ta nxjerrë vendimin brenda 15 ditëve, ndërsa në rastet veçanërisht të ndërlikuara, afati mund të zgjatet edhe për 20 ditë të tjera. Ligji nuk njeh zvarritje për muaj të tërë, e aq më pak mbajtje të një tenderi në gjendje pezullimi të pacaktuar.

Ndërkohë që ministria ka shpallur tender të ri për ndërtimin e objekteve, ky institucion ende nuk është as afër realizimit të atij për rrënimin e tyre.

Tenderi për rrënimin e objekteve ekzistuese, ku do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), është shndërruar në një nga procedurat më të kontestuara të viteve të fundit në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Edhe pse OSHP kishte vendosur më parë të lejojë vazhdimin e procedurës duke lënë në fuqi kriteret e ministrisë, dy operatorë ekonomikë – “Mendi Invest” dhe “Tempo-2 SH.P.K.” kanë ushtruar sërish ankesa ne tetor 2025, duke pretenduar se Ministria ka vendosur kritere të kundërligjshme, diskriminuese dhe të destinuara për të favorizuar një operator të vetëm.

Pretendimet e “Mendi Invest”

Operatori “Mendi Invest” e konsideron të paligjshme kërkesën që oferta të përmbajë punëtor teknik të licencuar si bagerist, duke theksuar se në Kosovë nuk ekziston asnjë institucion i certifikuar zyrtarisht për një kualifikim të tillë. Po ashtu, kompania kundërshton kriterin për peshën e kamionëve (5 deri në 7 ton), duke deklaruar se kjo kufizon pjesëmarrjen dhe dëmton operatorët që posedojnë mjete me kapacitet të ndryshëm, siç është rasti i tyre me kamion 7.5 ton. Sipas tyre, këto kritere nuk janë në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe paraqesin diskriminim të hapur ndaj ofertuesve.

Pra, kompania “Mendi Invest” argumenton se dosja e tenderit përmban kritere artificiale që e kufizojnë konkurrencën. Sipas tyre:

  • Kërkesa që operatori të ketë “punëtor teknik – bagerist të licencuar” është e pajustifikueshme, pasi në Kosovë nuk ekziston institucion i licencuar që pajis personat me certifikim të tillë.

  • Kriteri që lejon vetëm kamionë me peshë bartëse nga 5 deri në 7 ton përjashton operatorët që posedojnë mjete pak mbi këtë limit, si në rastin e tyre me kamion 7.5 ton, duke dëmtuar konkurrencën e lirë.

  • Kompania pretendon se shumica e kritereve teknike (nga pika 1 deri në 9) janë vendosur në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe duhet korrigjuar ose tenderi të anulohet.

Ankesa e “Tempo-2 SH.P.K.”

Ndërkohë, ankesa e kompanisë “Tempo-2” është edhe më e ashpër. Kompania akuzon ministrinë për shkelje të neneve 7, 27 dhe 28 të Ligjit të Prokurimit Publik, duke pretenduar se dosja e tenderit është hartuar në mënyrë të qëllimshme për të përjashtuar operatorë të caktuar. Sipas tyre, specifikimet teknike janë paushall, të paqarta dhe nuk përputhen me gjendjen reale në terren, duke krijuar hapësirë për manipulim gjatë implementimit të kontratës. Po ashtu, kompania ngre dyshime serioze se ministria ka informacione të detajuara për gjendjen e infrastrukturës nën-tokësore dhe për objektet ekzistuese, të cilat sipas tyre i janë dhënë paraprakisht një operatori të preferuar.

Pra, ankesa e dytë shkon edhe më thellë në detaje teknike dhe juridike. Operatorit “Tempo-2” pretendon:

  • Se ministria ka shkelur nenin 7 të LPP-së (barazia në trajtim), nenin 27 (hartimi i dosjes së tenderit) dhe nenin 28 (specifikimet teknike), duke hartuar dokumentacion me kritere kufizuese dhe jo proporcionale me natyrën e projektit.

  • Dosja e tenderit ka lënë të paqartë sasinë reale të punimeve dhe materialeve që do të demolohen, duke lënë të gjithë punën në vetëm katër pozicione me çmime “paushall”, çka krijon hapësirë për manipulime dhe rritje të kostos gjatë zbatimit.

  • Kompania pretendon se Ministria është në dijeni të faktit se shumë objekte do të rrënohen nga vet pronarët aktualë dhe jo nga operatori fitues, gjë që sipas tyre dëshmon se vlera e kontratës është e fryrë dhe procesi favorizon një operator të preferuar.

  • Gjatë vizitës në terren, “Tempo-2” ka konstatuar mospërputhje të mëdha mes gjendjes reale dhe të dhënave të paraqitura në tender, veçanërisht për rrjetin energjetik, ujësjellësin, kanalizimin dhe depozitimet nëntokësore (ku sipas tyre ka elemente deri në 20 metra thellësi, ndërsa ministria ka përcaktuar punime deri në vetëm 50 centimetra).

  • Kompania kërkon anulimin e tërë procedurës dhe nisjen nga fillimi, duke hartuar projekt të detajuar, me paramasa të sakta dhe specifikime të qarta teknike.

Ministria e Bujqësisë pretendon se ka respektuar vendimet e OSHP-së dhe se kriteret janë publikuar në përputhje me ligjin. Ajo thekson se vendimet paraprake të OSHP-së (nr. 2025/0342 dhe nr. 2025/0723) e kanë lejuar procesin të vazhdojë, duke i cilësuar ankesat e mëparshme si “res judicata”.

Megjithatë, dy operatorët ekonomikë insistojnë se korrigjimet e ministrisë janë vetëm formale dhe nuk e adresojnë thelbin e shkeljeve ligjore. Sipas tyre, tenderi nuk garanton konkurrencë të barabartë, transparencë dhe përdorim të drejtë të parasë publike.

Ka kaluar më shumë se një vit prejse Ministria e Bujqësisë mbylli përfundimisht pompën e derivateve “Patroni”, e vendosur në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë, përballë objektit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), shkruan Demokracia.com.

Ish ministri Faton Peci pati premtuar se në këtë lokacion do të niste ndërtimi i objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë. Por, ndonëse dy biznese u larguan prej aty që moti, rrënimi i objekteve ende nuk ka ndodhur. Ironia është se, në kohën kur njëra pompë u demolua, në afërsi të saj u ngrit një tjetër.

Sipas Ministrisë, ndërtimi i objektit të ri kërkon domosdoshmërisht rrënimin e ndërtesave ekzistuese. Megjithatë, ky proces është bllokuar në tenderin e shpallur, i cili është shndërruar në një “ping-pong” burokratik për shkak të kritereve të kundërligjshme që favorizonin një kompani të caktuar. /Demokracia.com/