Hajrulla Çeku po largohet, por ministria e tij po kërkon të punësojë 25 persona nëpërmjet një tenderi të vlerësuar 319 mijë euro, duke shkurtuar afatet e garës në mënyrë të paligjshme, shkruan Demokracia.com.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e drejtuar nga Hajrulla Çeku, ka hapur një tender të madh për angazhimin e personelit.
“Angazhimi i stafit për nevoja të MKRS-së dhe Institucioneve Vartëse”. Kështu quhet tenderi më i ri i ministrisë.
Vlera e parashikuar e kontratës është 319,300.00 euro, me një kohëzgjatje prej 36 muajsh. Këtu bëhet fjalë për punësimin e 25 personave.
Bazuar në pozitat e tyre, disa prej punësimeve duket se janë në kundërshtim me ligjin, pasi ato nuk duhet të ishin realizuar përmes tenderëve, por përmes konkurseve publike, ose mund të mbuloheshin me staf të brendshëm të ministrisë. Sipas nenit 57,2 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, “Paragrafi i këtij neni aplikohet vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta, të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë nr. 06-L-114”. Sipas nenit 57,3 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, “Shërbimet e veçanta, të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit, janë shërbime profesionale të kategorive dhe profesioneve të veçanta, për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë, por që nuk mund t’i plotësojë me stafin ekzistues”.
Afati për aplikim është lënë vetëm 19 ditë. Ky afat është arsyetuar nga ministria, duke thënë se “për shkak të nevojave të menjëhershme për konsulentë në MKRS dhe institucionet vartëse”.
Megjithatë, ky arsyetim nuk është i qëndrueshëm dhe është kundërligjor, pasi Ligji për Prokurimin Publik, në rastin e kontratave të mëdha, kërkon që hapja e ofertave të bëhet në ditën kur përfundon afati për dorëzimin e tenderëve dhe ky afat duhet të jetë jo më pak se 40 ditë”.
Neni 44 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton qartë afatet për pranimin e ofertave në kontratat publike të mëdha, duke specifikuar që për kontratat e mëdha afati duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.
Pastaj në dosje të tenderit janë vendosur një seri kriteresh që duhet të plotësohen. /Demokracia.com/