Mirëmbajtja dimërore e autostradave është një operacion rutinë, aq i sigurt sa edhe fakti që bora bie në Kosovë çdo dimër. Por Ministria e Infrastrukturës, në vend që ta zhvillonte një procedurë të hapur tenderimi, ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim, një mekanizëm i jashtëzakonshëm që ligji e lejon vetëm kur ndodh diçka e paparashikueshme dhe urgjente, shkruan Demokracia.com.
Fituesit e kontratave
Nga dokumenti zyrtar rezultojnë këto kompani fituese:
| Lot-i | Kompania fituese | Vlera e kontratës | |
| A7 “Ibrahim Rugova” | Lot 1 | Lika Trade & Lika Company SH.P.K. | 913,320.00 € |
| A7 “Ibrahim Rugova” | Lot 2 | VARNA SH.P.K.; ILEAA-GR SH.P.K.; EL-BAU SH.P.K. | 758,413.44 € |
| A6 “Arbën Xhaferi” | Lot 3 | Damastion Project SH.P.K. | 658,838.25 € |
| A6 “Arbën Xhaferi” | Lot 4 | EUROKOS Holding SH.P.K.; VIA | 549,472.61 € |
Në të gjitha lotet janë raportuar katër oferta të pranuara, çka tregon se treg ka. Pra, jo se “vetëm një kompani mund ta kryente punën”.
Në të gjitha lotet janë raportuar katër oferta të pranuara, çka tregon se treg ka. Pra, jo se “vetëm një kompani mund ta kryente punën”.

Çfarë thotë ligji?
Neni 35 – Procedurat e negociuara pa publikim
Ligji lejon këtë procedurë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, për shembull: “… emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye…”
(Neni 35.2.1(iii) – Ligji për Prokurimin Publik)
Po ashtu, ligji ndalon përdorimin e kësaj skeme nëse situata është krijuar nga vonesat ose neglizhenca e vetë institucionit: “…kjo dispozitë nuk mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente… mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente të autoritetit kontraktues.”
Çfarë thotë Ministria?
Në përshkrim, ministria argumenton se mirëmbajtja dimërore kërkon fleksibilitet dhe se bora është faktor që: “shfaqet papritur dhe pa paralajmërim…”

Në fakt, mirëmbajtja dimërore është një shërbim vjetor i parashikueshëm. Kontratat e tilla zakonisht planifikohen përmes procedurës së hapur, me planifikim të hershëm. Pra, ashtu sic e thotë ligji, nuk ka emergjencë të papritur në këtë rast. Nuk ishte shërbim i vetëm një kompanie. Nuk ishte shtesë e kontratës ekzistuese. Nuk ishte konkurs projektimi. Nuk kishte arsye ekskluzive teknike
Madje, vetë dokumenti ka pranuar katër oferta, çka përjashton pretendimin për mungesë konkurrence.
Pra, këtu nuk ka emergjencë natyrore, por emergjencë administrative. Një dallim i madh, sepse vonesa institucionale nuk legjitimon shmangien e konkurrencës. /Demokracia.com/










