Tenderi i Agjencisë së Faton Pecit goditet për herë të dytë nga OSHP – konstatohet shpërblim i paligjshëm dhe shkelje e ligjit

Që nga 19 shkurti i vitit 2025, Agjencia Qendrore e Prokurimit, që funksionon nën Ministrinë e Bujqësisë, e cila udhëhiqet nga Faton Peci po përpiqet ta përmbyllë një tender për sigurimin fizik të objekteve të Agjencisë Pyjore, por përpjekjet po i dështojnë njëra pas tjetrës, për shkak të shkeljeve të rënda ligjore, shkruan Demokracia.com.

Agjencia Pyjore e Kosovës, që vepron nën Ministrinë e Bujqësisë të udhëhequr nga Faton Peci, është kapur në shkelje të rënd serish nga Organi Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Për të dytën herë me radhë, Paneli i OSHP-së ka rrëzuar tenderin për shërbime të sigurimit fizik të pyjeve, duke konstatuar se autoriteti kontraktues ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik, ka injoruar vendimet e mëhershme të OSHP-së, dhe ka shpërblyer ofertën fituese në kundërshtim me kriteret ligjore.

Vendimi i fundit i OSHP-së, i miratuar në tetor 2025, nxjerr në pah një sërë shkeljesh që lidhen me mosvlerësim të drejtë të çmimeve, mospërfshirje të kostove minimale ligjore për paga, si dhe mospërfillje të një vendimi të mëparshëm të OSHP-së, që kishte urdhëruar rivlerësim korrekt të ofertave. (VENDIMI)

Si nisi procedura

Tenderi i Agjencisë Pyjore të Kosovës kishte për qëllim kontraktimin e një kompanie private për sigurimin e pyjeve në disa rajone të vendit. Ai u hapë që në shkurt të këtij viti. Në fazën e parë të vlerësimit, kontrata ishte dhënë kompanisë “Jaguar Security”, ndërsa operatori konkurrues “Internat Security Association” kishte paraqitur ankesë në OSHP, duke pretenduar se oferta fituese ishte nën çmimet minimale të lejuara dhe nuk mbulonte pagën minimale ligjore për punëtorët.

OSHP kishte konstatuar se pretendimet ishin të bazuara dhe në vendimin e parë e kishte urdhëruar Agjencinë Pyjore të rivlerësonte ofertat në përputhje me ligjin, duke verifikuar analizat financiare dhe përputhjen me pagat minimale.

Në vend që të zbatonte vendimin e OSHP-së, Agjencia Pyjore, nën Ministrinë e Faton Pecit, kishte përsëritur pothuajse të njëjtin veprim. Edhe pas rivlerësimit formal, sërish kishte shpërblyer të njëjtin operator “Jaguar Security”, pa bërë analizën e kërkuar për çmimet e dyshimta dhe për koston reale të pagave.

Kjo sjellje, sipas Panelit të OSHP-së, përbën moszbatim të vendimit të mëhershëm të organit shqyrtues, duke cenuar nenin 111 të Ligjit për Prokurimin Publik, që detyron autoritetet kontraktuese të zbatojnë në mënyrë të plotë vendimet e OSHP-së.

Madje, OSHP ka vërejtur se Ministria ka injoruar edhe Ligjin e Punës, duke mos marrë parasysh faktin se çmimet e ofertës fituese nuk mbulonin pagën minimale të përcaktuar me ligj për punonjësit e sigurimit fizik.

Konstatimet e OSHP-së: Shkelje e ligjit dhe shpërblim i paligjshëm

Në arsyetimin e saj, OSHP ka konstatuar disa pika kyçe të shkeljeve ligjore nga autoriteti kontraktues:

  1. Mosrespektim i vendimit të mëparshëm të OSHP-së, që kishte urdhëruar rivlerësim substancial të ofertave;
  2. Mungesë e analizës së çmimeve për të vërtetuar nëse oferta fituese është realisht e përgjegjshme financiarisht;
  3. Përfshirje e çmimeve që bien ndesh me pagën minimale ligjore, duke bërë ofertën të papërgjegjshme;
  4. Mungesë e arsyetimit ligjor në refuzimin e kërkesës për rishqyrtim nga operatori tjetër, çka përbën shkelje të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative;
  5. Mospërputhje me nenet e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Prokurimin Publik, për shkak të mosvlerësimit të kostove reale të punës.

Për këto arsye, OSHP ka vendosur të anulojë vendimin e Agjencisë Pyjore për shpërblimin e kontratës.

Pra, ky është rasti i dytë radhazi ku OSHP ndërhyn ndaj një tenderi të Ministrisë së Faton Pecit për të njëjtin shërbim, duke konstatuar përsëritje të shkeljeve dhe tentativë për të anashkaluar ligjin përmes formave teknike të rivlerësimit.

Vendimi i fundit është i rëndësishëm jo vetëm për shkak të vlerës së kontratës 250 mijë euro, por edhe sepse tregon një model të përsëritur të mospërfilljes së institucioneve mbikëqyrëse, në këtë rast OSHP-së, e cila ka rol ligjor detyrues.

Në fund, OSHP ka paralajmëruar se moszbatimi i vendimit të tanishëm do të mund të sjellë pasoja shtesë, përfshirë referimin e rastit në organet përkatëse mbikëqyrëse të prokurimit publik. /Demokracia.com/