Tenderi gati 5 milionësh për 235 vetura me qira për institucione – jepen kontratat për dy Lote, anulohen tri tjerat

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka dhënë kontratat për dy pjesët e tenderit në vlerë rreth 5 milionë euro për vetura me qira për nevojat e institucioneve të Kosovës. Tri pjesët e tjera janë anuluar. Me këtë tender parashihej marrja me qira e 235 veturave, për një periudhë prej 60 muajsh, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Rreth 5 milionë euro ka planifikuar t’i shpenzojë Agjencia Qendrore e Prokurimit për marrjen e veturave me qira për institucionet e vendit, si Presidenca, Zyra e Kryeministrit, Ministritë, Komunat e Agjencitë.

Në dosjen e tenderit specifikohet se të gjitha veturat duhet të jenë të reja, me vit të prodhimit 2024 dhe sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Aty tregohen edhe institucionet të cilat do t’i shfrytëzojnë këto vetura. 28 janë për Ministrinë e Infrastrukturës, 25 për Komunën e Prishtinës, 20 për Doganën e Kosovës, 20 për Këshillin Prokurorial, 18 për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, 14 për Zyrën e Kryeministrit, 11 për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhjetë për Administratën Tatimore të Kosovës, dhjetë për Këshillin Gjyqësor, dhjetë për Ministrinë e Shëndetësisë, dhjetë për Inspektoratin e Punës, tetë për Inspektoratin Policor të Kosovës, shtatë për Zyrën e Presidencës, pesë për Inspektoratin e Tregut, derisa të tjerat do të shfrytëzohen nga institucionet tjera, shkruan Reporteri.net.

Me Lot 1 parashihej furnizimi me 45 vetura me qira, teksa vlera për këtë lot është 756 mijë euro. Me Lot 2 parashihej furnizimi me 30 vetura, e çmimi është 549 mijë euro. Vlera e Lot 3 është 1 milion e 110 mijë euro, e më të parashihet marrja me qira e 50 veturave. 1 milion e 920 mijë euro është vlera e Lot 4 për 60 vetura, teksa vlera e Lot 5 është 639 mijë euro për 30 vetura me qira.

“Afatet kohore për fillimin dhe/ose përfundimin e kontratës: Afati maksimal për dorëzimit të automjeteve është 90 ditë nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa kontrata e qirasë është 60 muaj nga data e pranimit te automjetit. (Kontraktuesi mundet te filloj me implementim te kontratës kur do qe është i gatshëm (edhe pjesërisht) por jo me vonë se 90 ditë pas nënshkrimit te kontratës)”, thuhet në dosje.

Aty specifikohet se kompania fituese do ta bëjë kontrollimin Teknik, sigurimin, regjistrimin, servisimin e rregullt apo sipas nevojave, furnizimin dhe ndërrimin e gomave verore dhe dimërore, mirëmbajtjen, riparimin dhe çdo shpenzim tjetër gjatë periudhës së kontratës.

“Çdo dëmtim i automjeteve është përgjegjësi e kontraktuesit ti rregulloj me shpenzimet e veta. Këtu përfshihen edhe dëmtimet e jashtme për të cilat nuk ka raport të Policisë. Sigurimi kasko është në përgjegjësin e kontraktuesit pra mund të mos i siguroj veturat kasko dhe të bart vet rrezikun”, thuhet në dosje.

Në rast të defektit, kompania obligohet që brenda periudhës sa më të shkurt ta riparojë ose zëvendësojë automjetin jo me larg se dy ditë pune. Në rastet kur nevojiten më shumë se dy ditë pune kontraktuesi duhet t’i ofrojë autoritetit një veturë tjetër në përdorim deri sa të rregullohet vetura por jo për periudha më të gjata se 15 ditë pune.

“Ne rast se automjeti është i dëmtuar dhe nuk mund te aftësohet për komunikacion atëherë zëvendësohet prej kontraktuesit me automjet tjetër të tipit të njëjtë dhe jo më të vjetër se viti i veturës së dëmtuar. Kontraktuesi mund të vendos gomë rezerve me pajisjet përcjellëse dhe në rast te dëmtimit te gomës shoferi i veturës e ndërron gomën dhe e dërgon veturën sa me parë tek kontraktuesi apo kontraktuesi mundet te mos vendos gomë rezerve dhe ku do qe te dëmtohet goma shoferi do te informoj kontraktuesin dhe i njëjti duhet te dërgoj ekipin e tij për ndërrimin e gomës për maksimum 2 orë, kjo pike vendoset ne marrëveshje mes kontraktuesit dhe autoritetit dhe nëse nuk mund te arrijnë marrëveshje vlen zgjidhja te cilën e kërkon autoriteti”, specifiohet tutje.

Në njoftimin e publikuar sot në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, AQP ka bërë me dije se për dy lote janë dhënë kontratat, e tri lotet tjera janë anuluar.

Me kontratë për Lot 3 është shpërblyer Auto Mita, me vlerë prej 1 milion e 107 mijë euro për me 50 vetura me qira.

Ndërkohë, për Lot 4, kontrata në vlerë prej 1 milion e 920 mijë euro i është dhënë Mercom Auto SH.P.K.

“Me kete rast ju njoftojmë që anulohet LOT 1, LOT 2 dhe LOT 5”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, para një muaji, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kishte alarmuar se Komuna kishte mbetur pa automjete, shkaku që kontrata e lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte skaduar me 6 dhjetor.  Kjo kontratë përfshinte institucione qendrore dhe lokale, përfshirë Komunën e Prishtinës, e cila kishte marrë me qira 76 vetura.

“Pas skadimit të kontratës, të gjitha veturat janë kthyer, duke lënë Komunën e Prishtinës pa automjete funksionale. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca”, kishte shkruar Rama.

Komuna i kishte bërë thirrje Qeverisë për gjetjen e një zgjidhje.

“Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike! Kryeqyteti mbetet i angazhuar për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, por mungesa e mjeteve për operim përbën rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike. Trajtimi i interesit publik kërkon prioritet!”, thuhej në postimin e Ramës./Reporteri.net