Tenderi 800 mijë euro në Shtime: Dyshime për favorizim, kompania që u ankua u tërhoq papritur

Një tender i dyshimtë prej 800 mijë eurosh është dhënë në Komunën e Shtimes. Kontrata u dha për renovimin e një gjimnazi atje. Fillimisht, një kompani, kur u hapën ofertat, kishte ngritur dyshime të forta se në dosje ishin përcaktuar kritere që favorizonin kompani të caktuara. Ndërsa, kur erdhi koha për të marrë vendimin, u vërejt se kishte konkurruar vetëm një kompani, e cila edhe u shpall fituese. Në anën tjetër, operatori që kishte ngritur dyshime për këtë tender u tërhoq nga ankesa dhe nuk dihet pse.

Komuna që udhëhiqet nga Qemajl Aliu i VV-së, më 22.10.2025, dha njoftimin në e-prokurim se është nënshkruar tenderi për “Renovimin e Gjimnazit Naim Frashëri”.

Në vendim thuhet se fitues është konsorciumi TALA ENGINEERING SH.P.K. – Xhemshir Sejdija B.I.

Vlera e kontratës është mbi 797 mijë euro, shkruan Insajderi.

Ndërsa del se kjo kompani ishte e vetmja që ka marrë pjesë në tender.

Por, para se të shpallej fituesi, ishte edhe një operator tjetër që kishte shprehur interesim për të marrë pjesë.

Ankesa në OSHP dhe ‘dorëzimi’

Kompania “TRIANGLE” SH.P.K, pasi kishte parë kriteret, u ankua në OSHP.

Sipas saj, ishin vendosur kritere diskriminuese që kanë favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë.

Në dokumentin e ankesës, kompania thotë se Komuna e Shtimes kishte publikuar njoftimin për kontratë më 25 gusht 2025, ndërsa pas shqyrtimit të dosjes së tenderit kishte vërejtur se “autoriteti kontraktues kishte paraqitur kritere që bien ndesh me legjislacionin e prokurimit publik”.

“Ne kemi kërkuar rishqyrtim të vendimit, me të cilin kërkuam që Komuna e Shtimes të pezullojë zbatimin e këtij aktiviteti të prokurimit dhe të ndryshojë kërkesat e dosjes së tenderit në përputhje me ligjin”, thuhet në ankesë.

Sipas kompanisë, edhe pas dokumentimit të shkeljeve me prova, Zyra e Prokurimit të Komunës ka aprovuar vetëm pjesërisht kërkesën e tyre, duke lënë në fuqi shumicën e kritereve që “nuk janë relevante me natyrën e projektit dhe kufizojnë konkurrencën e lirë”.

Në ankesë përmendet se me këtë veprim Komuna e Shtimes ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurim Publik, përfshirë ato që garantojnë barazinë në trajtim, ekonomicitetin dhe transparencën.

Autoriteti kontraktues ka vendosur kërkesa jo relevante dhe me efekt avantazhi për operatorë të identifikueshëm, duke eliminuar konkurrencën e lirë”, thuhet në dokument.

Kompania “TRIANGLE” SH.P.K kërkoi nga OSHP-ja që të aprovojë ankesën si të bazuar, të detyrojë Komunën e Shtimes të përmirësojë dosjen e tenderit dhe të garantojë trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë në këtë procedurë.

Por, pavarësisht këtyre akuzave, kjo kompani u dorëzua papritur.

OSHP njoftoi se kompania “TRIANGLE” është tërhequr nga ankesa.

Aprovohet kërkesa për tërheqjen e ankesës; i lejohet autoritetit kontraktues të vazhdojë tutje me aktivitetin e prokurimit”, thuhet në vendim.

Se pse erdhi kjo tërheqje, nuk dihet.

Historiku i tenderëve tjera të dyshimta ku përfshihen të njëjtat kompani TALA ENGINEERING SH.P.K.; Xhemshir Sejdija B.I.

Më 12 shkurt 2024, Komuna e Shtimes kishte hapur tenderin me vlerë prej 2.5 milionë eurosh për ndërtimin e një objekti të ri.

Shumë kompani morën dosjen e tenderit, ndërsa dy prej tyre menjëherë bënë kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar se janë vendosur kritere të kundërligjshme.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, komuna e Qemajl Aliut i hodhi poshtë ankesat.

Një nga kompanitë më pas paraqiti ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), por befasisht ndodhi e njëjta gjë – u tërhoq nga ankesa, duke lënë dyshime për qëllimet e saj dhe përse ky proces po zhvillohej pa rregull.

Pas tërheqjes së kësaj ankese, Komuna e Shtimes vazhdoi me vlerësimin e tenderit, ku në garë mbetën vetëm tri kompani. Për kontratë u rekomandua grupi i operatorëve ekonomikë: “Xhemshir Sejdija B.I.”, “Tala Engineering Shpk”, “B-Bardhi Shpk” dhe “Civil Eng Shpk”.

Oferta e përzgjedhur për kontratë ishte vetëm 4 mijë euro nën pragun e tenderit, në vlerën e saktë prej 2,495,831.10 euro.

Tenderi 800 mijë euro në Shtime: Dyshime për favorizim, kompania që u ankua u tërhoq papritur - Insajderi - njiftim per dhenie

Fituese të tenderëve të tjerë

Kompania e konsorciumit, “Xhemshir Sejdija B.I”, ka qenë e lidhur me kontrata të mëparshme me Komunën e Shtimes, përfshirë një kontratë për mirëmbajtjen e parqeve me vlerë prej 200 mijë eurosh.

Tenderi 800 mijë euro në Shtime: Dyshime për favorizim, kompania që u ankua u tërhoq papritur - Insajderi - xhemshiri mirmatja

Po ashtu, “Tala Engineering Shpk”, siç kishte raportuar Demokracia, ishte një nga kompanitë e përfshira në ndërtimin e objektit të ri, ku ka fituar një kontratë prej 150 mijë eurosh nga Komuna e Shtimes, aty janë evidentuar parregullsi, përfshirë çmimet e fryra për materialet e ndërtimit