Organi Shqyrtues i Prokurorimit ka dalë me vendim lidhur me ankesën e Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ndaj Komunës së Prishtinës lidhur me tenderin në vlerë prej 16.5 milionë euro për mbeturinat në kryeqytet.
Në vendim thuhet se shqyrtimi i kësaj ankesese është jashtë juridikisionit të OSHP’së, teksa theksohet se “Pastrimi” mund t’u drejtohet institucioneve tjera për mbrojtjen e të drejtave të saj, shkruan Reporteri.net.
“Shqyrtimi i kësaj ankese nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit është jashtë fushës së kompetencave dhe autorizimeve ligjore të përcaktuara me Ligjin Për Prokurimin Publik, I ndryshuar, si dhe me legjislacionin sekondar në fuqi që rregullon procedurat dhe veprimtarinë e këtij organi. Sipas dispozitave të këtij ligji dhe aktet nënligjore përkatëse, kompetencat e Organit Shqyrtues janë të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe të kufizuar vetëm për shqyrtimin e çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me procedurat e prokurimit publik brenda kornizës ligjore të përcaktuar. Çdo pretendim që tejkalon këto kufizime, përfshirë edhe shqyrtimin e çështjeve jashtë fushës së prokurimit publik ose jashtë kompetencave të përcaktuara ligjore, konsiderohet jashtë juridiksionit të këtij organi”, thuhet në vendim.
Duke u thirrur në gjetjet e panelit, OSHP ka vendosur “të mbyllë këtë rast për shkak të mungesës së juridiksionit ligjor për të shqyrtuar çështje që kanë burim nga aktet normative komunale me efekt të drejtpërdrejtë”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vendimit, duke e cilësuar këtë si fitore.
“Pas një sërë pengesash të qëllimshme nga kompania rajonale “Pastrimi” SH.A – përfshirë greva, bllokime dhe ankesa të njëpasnjëshme – Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur qartë: Komuna e Prishtinës ka të drejtë të vazhdojë me procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do të menaxhojë mbeturinat në kryeqytet”, ka shkruar Rama, ndonëse në vendim nuk përmendet askund diçka e tillë, pra se a mund të vazhdojë me procedurat komuna.
Tenderi në vlerë prej 16.5 milionë euro ishte shpallur në nëntor të vitit të kaluar./Reporteri.net