Në qershor të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka hapur një procedurë prokurimi për angazhimin e pesë “konsulentëve” për menaxhimin e projekteve, me kohëzgjatje trevjeçare dhe vlerë të përgjithshme prej 216 mijë eurosh. Aktiviteti është zhvilluar përmes një procedure të hapur dhe është paraqitur si kontraktim i shërbimeve të veçanta. Megjithatë, analiza e dosjes së tenderit dhe përmbajtjes së detyrave të parashikuara tregon se nuk kemi të bëjmë me konsulencë të jashtme në kuptimin ligjor, por me punë të rregullt, të përhershme dhe operative, të cilat ligji i rezervon shprehimisht për shërbyesit civilë, shkruan Demokracia.com.
Procesi i angazhimit të “konsulentëve” nga Komuna e Prishtinës është shndërruar në një procedurë të zvarritur që ka zgjatur për rreth gjashtë muaj, duke treguar probleme serioze në planifikim, menaxhim dhe respektim të afateve ligjore. Aktiviteti i prokurimit, i inicuar në qershor të këtij viti, ka kaluar nëpër disa faza të kontestuara procedurale, përfshirë edhe trajtimin e ankesave pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), çka ka ndikuar drejtpërdrejt në vonesën e finalizimit të kontratave. Vetëm së fundmi, Komuna ka arritur të shpallë fituesit për tri nga pesë lotet e parashikuara, ndërsa dy lotet e tjera janë anuluar dhe pritet të ritenderohen.

Kjo zvarritje, e kombinuar me anulimin e pjesshëm të procedurës dhe rifillimin e saj për dy lote, ngre dyshime jo vetëm për efikasitetin e menaxhimit të prokurimit, por edhe për vetë qëllimin dhe ligjshmërinë e këtij aktiviteti, i cili synon angazhime trevjeçare përmes kontratave të ashtuquajtura për “shërbime të veçanta”.
Tenderi quhet “Shërbime për angazhimi të 5 konsulenteve për menaxhim të projekteve për nevojat e Komunës së prishtinës për një periudhë kohore 3 vjeçar”. Fitues janë shpallur, për lot I, Bedri Sylejmani me oferte 43,020.00 euro. Për lot III, Arsim Mustafa me ofertë 43,200.00 euro, dhe për lot 5, Denis Krasniqi me ofertë 43,200.00 euro.
Së pari, duhet kihet parasysh se në Republikën e Kosovës ekziston Ligji Nr. 03/L‑149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili rregullon statusin e nëpunësve civilë, procedurat për pranimin, emërimin, avancimin në karrierë, detyrimet dhe të drejtat e tyre.
Ligji parasheh që pranimi i nëpunësve civilë bëhet me konkurse publike, në bazë të meritës dhe në mënyrë transparente.
Së dyti, në fushën e prokurimit publik, ekziston Rregullorja Nr.001/2022 për Prokurimin Publik, e cila saktëson dispozita për procedurat e prokurimit, duke përfshirë edhe të shërbimeve të veçanta.
Kështu, sipas rregullores, shërbimet e veçanta mund të kontraktohen vetëm në raste kur ato nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas ligjit të shërbimit civil, dhe kur bëhet fjalë për profesione të veçanta që nuk mund të mbulohen nga stafi ekzistues i institucionit.
Çfarë janë “shërbimet e veçanta” sipas ligjit?
Rregullorja Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, në nenin 57, e kufizon qartë përdorimin e kontratave për “shërbime të veçanta”. Institucionet publike mund t’i përdorin këto kontrata vetëm në dy raste: kur shërbimi nuk mund të sigurohet përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, dhe kur bëhet fjalë për profesione të veçanta që nuk mund të mbulohen me stafin ekzistues.
Pra, ligji e sheh këtë kategori si përjashtim, jo si rregull. Ajo është menduar për angazhime të përkohshme, të kufizuara në kohë, dhe për nevoja të specializuara që nuk ekzistojnë brenda institucionit. Megjithatë, në rastin e Komunës së Prishtinës, asnjëra nga këto kushte nuk duket të jetë përmbushur.
Çfarë parashikon konkretisht tenderi i Komunës së Prishtinës?
Sipas dosjes së tenderit, pesë konsulentët e kërkuar janë inxhinierë të fushave ndërtimore, hidroteknike, elektrike, mekanike dhe gjeodezike. Detyrat e tyre përfshijnë menaxhimin dhe mbikëqyrjen e projekteve infrastrukturore komunale, përgatitjen e dokumentacionit teknik, paramasave dhe raporteve të zbatimit, si dhe koordinimin me palë të ndryshme gjatë realizimit të projekteve.
Këto nuk janë shërbime të rralla apo të jashtëzakonshme. Përkundrazi, ato përbëjnë thelbin e punës së përditshme të drejtorive komunale dhe zakonisht kryhen nga zyrtarë të përhershëm të komunës. Angazhimi trevjeçar i këtyre “konsulentëve” tregon qartë se kemi të bëjmë me funksione të vazhdueshme dhe strukturore, e jo me nevoja të përkohshme.
Një tjetër aspekt shqetësues lidhet me përbërjen e Komisionit Vlerësues. Sipas dokumenteve, një zyrtare që ka qenë më herët menaxhere e kontratave për ofertuesit e rekomanduar, ka marrë pjesë edhe në vlerësimin e kësaj procedure. Kjo rrethanë ngre dyshime të arsyeshme për konflikt interesi dhe mospërputhje me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Rasti tashmë është referuar për vlerësim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit nga ana e Organizata Democracy Plus (D+).
Vetë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka paralajmëruar më herët se klasifikimi i aktiviteteve të përhershme si “shërbime të veçanta” përbën keqpërdorim të nenit 57 të Rregullores për Prokurimin Publik. Rasti i Komunës së Prishtinës dëshmon se këto paralajmërime nuk janë marrë seriozisht. /Demokracia.com/













