Tender 18 mijë euro, grant 20 mijë euro: Zyrtarja e MINT-it në konflikt interesi me kompaninë private – Çka po ndodh në ministrinë e drejtuar nga Rozeta Hajdari?

Disa ditë më parë Gazeta Nacionale ka raportuar për vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, e cila kishte marrë vendim për anulimin e tenderit me titull “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm në Drenas”, me vlerë afër 8 milionë euro, tender ky të cilin e kishin fituar grupi i operatorëve ekonomik në krye me “Kema Company”.

Sipas vendimit të APK-së, zyrtarja që ishte anëtare e Komisionit Vlerësues nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Saxhide Sadiku, ishte në konflikt interesi me kompaninë fituese “Kema Company”, për shkak se e njëjta kishte qenë e angazhuar me punë në këtë kompanië më herët dhe në kohën kur Komisioni Vlerësues po bënte vlerësimin e ofertave nga operatorët ekonomik për tenderin e lartcekur, bashkëshorti i Saxhide Sadikut, Dituror Sadiku, kishte qenë duke punuar në “Kema Company” në periudha të ndryshme.

Por, MINT kishte neglizhuar vendimin e APK-së dhe kishte vazhduar të ekzekutonte pagesa për “Kema Company”.

Zyrtarja Saxhide Sadiku kishte rezultuar në konflikt interesi edhe me një kompani tjetër private e cila kishte fituar tenderë dhe grante nga MINT.

Më 28 shtator 2023, MINT kishte shpallur fitues të tenderit për “Hartimin e projektit ideor dhe kryesor për Parkun Industrial 2 në Drenas”, kompaninë “NEËS SHPK”. Kjo kompani kishte fituar tenderin me vlerë prej 18 mijë eurove, ani pse vlera e parashikuar e tenderit nga MINT ishte 60 mijë euro.

E njëjta kompani, kishte përfituar edhe nga grantet e ndara nga MINT për sektorin e industrive kreative, ku “NEËS SHPK” kishte fituar grant prej 20 mijë eurove nga MINT.

Në Komisionin Vlerësues për vlerësimin e aplikacioneve nga kompanitë për thirrjen e shpallur nga MINT, anëtare ishte edhe Saxhide Sadiku.

E njëjta kishte deklaruar se ka konflikt interesi me kompaninë “NEËS SHPK”, andaj edhe ishte zëvendësuar nga një zyrtare tjetër e ministrisë.

Por, si ndodhi që zyrtarja Saxhide Sadiku, të jetë në konflikt interesi edhe me kompaninë që ka hartuar projektin për parkun industrial në Drenas, por edhe me kompaninë që kishte fituar tenderin për ndërtimin e infrastrukturës në parkun industrial në Drenas sipas kontratës së lartcekur?

Për më shumë detaje rreth kësaj çështje, ndiqeni videon e plotë: