Dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë deklaruar publikisht se Lëvizja Vetëvendosje ka kontaktuar deputetë të tjerë të kësaj partie, për t’i bindur që të kalojnë tek ata.
Të premten Besian Mustafa u shpreh se “më shumë se një deputet” është kontaktuar në forma të ndryshme dhe se ka pasur tendenca për kërcënime e shantazhe nga partia e parë.
“Më shumë se një deputet të LDK-së janë kontaktuar në forma të ndryshme, qoftë siç populli me të mirë e me të keq, pra ka pasur tendenca edhe për kërcënime e shantazhe, por iu konfirmoj se asnjë deputet i LDK-së nuk ka rënë pre e këtyre qëllimeve të Vetëvendosjes për të kthyer ndonjërin nga ta”.
“Me të mirë, me tendenca për t’i bindur shoqërisht dhe më tej, e me të keq duke i shantazhuar ata e anëtarët e familjarëve të tyre, qoftë në rrafshin profesional” – u shpreh ai në “Dpt te Fidani”.
Para pak ditësh, mbi këtë çështje foli edhe deputetja tjetër, Jehona Lushaku.
Ajo theksoi se në radhët e LDK-së nuk ekziston asnjë shqetësim lidhur me këtë çështje, duke shtuar se ata kanë marrë “përgjigjen e duhur”.
“Jo nuk është diçka që e kemi as si ndjesi, përkundër faktit që kemi informacione që dy deputetë janë kontaktuar por që janë me qëndrime të qarta dhe jemi grup shumë kompakt politik me një shumicë të deputetëve të rinj që kanë hyrë për herë të parë, e dimë çfarë vlerash përfaqësojnë.” – tha ajo në RTV21.