Temperaturat në Emiratet e Bashkuara arrijnë gati 50°C – vala e të nxehtit përfshin vendin

Emiratet e Bashkuara Arabe po përballen me një valë të nxehti të jashtëzakonshme, me temperaturat që janë ngjitur pranë kufirit prej 50°C.

Sipas Qendrës Kombëtare të Meteorologjisë (NCM), temperatura më e lartë e regjistruar sot ishte 49.3°C në zonën Bada Dafas, rajoni Al Dhafrah i Abu Dhabit, rreth orës 14:00, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Kjnxehtësi ekstreme është përhapur në mbarë vendin, ku shumë zona kanë regjistruar temperatura nga 45°C deri në 48°C.

Kushtet mbeten të vështira për banorët, të cilët po përballen jo vetëm me vapën përvëluese, por edhe me lagështi të lartë dhe erëra me pluhur.

Shpejtësia e erës varion nga 10 deri në 25 km/h, me shpërthime që mund të arrijnë deri në 35 km/h, duke shkaktuar kushte me pluhur që zvogëlojnë dukshmërinë dhe rrisin rrezikun për drejtuesit e automjeteve.

 

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit, pasi stuhitë e pluhurit mund të shfaqen papritur.

Gjithashtu, niveli i lagështisë pritet të arrijë deri në 90 për qind në disa zona, duke krijuar një atmosferë mbytëse dhe të pakëndshme.

Institucionet shëndetësore paralajmërojnë që personat me probleme respiratore ose alergji duhet të marrin masa paraprake para se të dalin jashtë.

Në zonat bregdetare, kushtet detare po monitorohen nga afër. Gjiri Arab pritet të ketë dallgë të lehta deri në mesatare, ndërsa Deti i Omanit mbetet relativisht i qetë.

Qendra Kombëtare e Meteorologjisë këshillon qytetarët të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për sigurinë.