Temperaturat javën e ardhshme deri në 37 gradë – IHMK apelon për kujdes

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme vendi do të përfshihet nga mot i kthjellët dhe me diell, me temperatura të larta që do të shënojnë ngritje të ndjeshme ditëve në vijim.

Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 17 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të variojnë nga 28 deri në 37 gradë.

“Apelojmë për kujdes të shtuar ndaj rrezeve të diellit, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me ndjeshmëri ndaj temperaturave të larta”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Në detaje, parashikimi i motit për ditët e javës është si më poshtë:

E hëna – Moti pritet të jetë i kthjellët dhe me diell. Temperaturat maksimale do të sillen nga 29 deri në 33°C.

E marta – Vijon moti i ngjashëm, me temperatura maksimale nga 28 deri në 32°C.

E mërkura – Moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 16°C, ndërsa maksimalet nga 29 deri në 33°C. Do të fryjë erë e lehtë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s.

E enjtja – Parashikohet mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht në relievin malor. Temperaturat do të lëvizin nga 12 deri në 16°C në mëngjes dhe do të arrijnë nga 31 deri në 35°C gjatë ditës. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga verilindja.

E premtja – Do të jetë dita më e nxehtë e javës, me temperatura minimale prej 12 deri në 18°C dhe maksimale që do të arrijnë nga 32 deri në 37°C.

The post Temperaturat javën e ardhshme deri në 37 gradë – IHMK apelon për kujdes appeared first on Kosovapost.net.