“Telekomi” vs “Dardafon” – procesi i ndërhyrjeve rekord të Ministrisë së Drejtësisë

Betejes gjyqësore mes “Telekomit” dhe “Dardafon”-it i dha fund Gjykata Kushtetuese.

Me vendimin që nxorri të mërkurën, institucioni më i lartë juridik në Kosovë refuzoi ankesën e kompanisë shtetërore të telekomit.

Telekomi ishte ankuar për “cenim të parimit të gjykimi të drejtë dhe të paanshëm” në vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të korrikut të vitit 2024.

Vendimi për të cilën ankohej operatori publik i telefonisë mobile, e obligonte këtë të fundit të zbatojë vendimin e Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë përmes të cilit Telekomi duhet t’i paguante kompanisë private Dardafon rreth gjashtë milionë euro për mospërmbushjen e kontratës.

Si nisi beteja gjyqësore mes Telekomit dhe Dardafon-it?

Pas një “bashkëpunimi” dhjetë vjeçar, “Telekomi i Kosovës” më 30 korrik të vitit 2019 shkëputi kontratën me operatorin privat të telefonisë mobile “Z-mobile” (Dardafon).

Këta të fundit, konsideruan se nuk janë përmbushur kushtet e marrëveshjes, kësisoj ankesën e tyre e nisin për në arbitrazh, çka edhe e fitojnë lëndën.

Arbitrazhi në shkurt të 2022 me vendim e kishte obliguar Telekomin e Kosovës t’ia paguajë mbi 11 milionë euro të tjera kompanisë “Dardafon”. Megjithatë, për operatorin publik ky vendim ishte i papranueshëm.

“Si i tillë, vendimi është në esencë i parregullt dhe Telekomi i Kosovës Sh.A. do të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore për të sfiduar vendimin.  Ekspertët tonë ligjor janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë Vendimin e ICC no. 2481 në gjykatat kompetente”, thuhej në reagimin e “Telekomit”. Por edhe kjo ankesë e Telekomit ishte refuzuar më 19 korrik të 2023.

Ky ishte arbitrazhi i dytë në të cilin humb “Telekomi”. Në vitin 2016, “Z-mobile” kishte fituar 30 milionë euro pas padisë që i ishte bërë Telekomit të Kosovës. Ky rast ishte ngritur për mosdhënien e 100 mijë numrave dhe mosfigurimin e 3G dhe 4G për numrat e “Z-Mobile”.

Ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë në procesin përmbarimor

Derisa pritej ky vendim nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, në Kosovë kishin nisur përplasjet ligjore të “Telekomit”, nën dirigjimin e Vetëvendosjes, me “Dardafon”.

U fillua me përmbaruesin privat Ilir Mulhaxha, i cili duke vepruar sipas propozimit të kreditorit ‘‘Dardafon”, ndaj debitorit “Telekomi i Kosovës”, ka lëshuar urdhrin me të cilin ka caktuar përmbarimin e borxhit në bazë të vendimit të arbitrazhit të vitit 2016, ku “Telekomi” i detyrohej “Dardafon” 30 milionë euro.

Me një vendim të jashtëligjshëm, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu suspendoi nga puna më 6 dhjetor, përmbaruesin Ilir Mulhaxhën.

Se vendimi i Haxhiut ishte anti-ligjor e vërteton një vendim i Gjykatës Komerciale të Kosovës e cila e ka refuzuar si të pabazuar padinë e Telekomit të Kosovës për përjashtimin e përmbaruesit Mulhaxha nga çështja e përmbarimit ndaj “Dardafon L.L.C”, raporton Paparaci.

Paparaci kishte siguruar vendimin e shkallës së parë e që është marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës që mban datën 24 nëntor, 2022.

“REFUZOHET, kërkesa e ushtruar me parashtresën e datës 02.11.2022, nga përfaqësuesit e autorizuar te debitorit TELEKOMI I KOSOVËS SH.A me NUI 81 128800, me seli në Prishtinë, për përjashtimin e Përmbaruesit Privat Ilir Mulhaxha nga procedimi në çështjen përmbarimore P.nr.491/19 te datës 15.07.2019, si e pa bazuar”, thuhej në vendimin e Gjykatës Komerciale.

Pak ditë më vonë, vendimin hakmarrës të Haxhiut e rrëzoi Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në ndërkohë, mes “Telekomit të Kosovës” dhe “Dardafon”, vazhdonin përplasjet për borxhin.

Më 23 mars 2022, “Dardafon”, paraqiti propozim në Gjykatën Komerciale për njohje dhe shpallje të ekzekutueshme të Vendimit të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë e më 16 maj 2022, Telekomi paraqiti padi për anulim në Gjykatën Komerciale kundër të njëjtit vendim.

Por, ndërhyrja e MD-së në procesin përmbarimor nuk përfundoi me Mulhaxhën. Kompania “Dardafon” në mars të 2024 tha se se Ministria e Drejtësisë e ka suspenduar Përmbaruesin Privat të cilin e kishte zgjedhur vetë për të trajtuar kontestin mes “Dardafon” dhe “Telekomit të Kosovës”.

“Në emër të Dardafonit, dëshirojmë të shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë më të thellë lidhur me vendimin e fundit të Ministrisë së Drejtësisë për të suspenduar Përmbaruesin Privat, i cili ishte zgjedhur nga vetë Ministria për të trajtuar lëndën e Dardafonit”, deklaroi kompania private.

Sipas “Dardafon”, ky akt i MD-së përbënte shkelje të qartë të parimeve të pavarësisë së institucioneve gjyqësore dhe “ngre dyshime të rënda mbi përpjekjet e qeverisë për të ndërhyrë drejtpërdrejt në raste të caktuara të arbitrazhit ndërkombëtar”.

Përmes aktvendimit të nxjerrë më datë 16.02.2024, Gjykata Komerciale – Dhoma e shkallës së parë, e kishte detyruar Telekomin e Kosovës që t`ia paguaj “Dardafon”-it shumën prej 5,732,871.34 euro. Ky obligim financiar gjykata ka urdhëruar që të kryhet në afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Këtë shumë gjykata e ka caktuar në emër të borxhit të pa përmbushur përkitazi me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të datës 09.12.2016.

Kjo rezultoi në bllokimin e llogarive të “Telekomit” dhe njëkohësisht solli dorën e Ministrisë së Drejtësisë në proces.

Në mars të atij viti Ministria e Drejtësisë e suspendoi Përmbaruesin Privat, Irfan Kërçagu.

Ndërhyrja e pushtetit në proces përmes gjyqtarëve të Gjykatës Komerciale

Më 8 shtator 2022, Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë kishte vendosur që padia e anulimit të paraqitur nga “Telekomi” dhe propozimi për njohje i paraqitur nga Dardafon. net. L.L.C., të bashkohen dhe të shqyrtohen si lëndë e njëjtë.

Shkalla e parë e Komerciales në korrik të 2023 kishte vendosur pastaj të linte në fuqi vendimin e arbitrazhit ndërkombëtar.

Përmes këtij vendimi të marrë me 17.07.2023, edhe atëherë Telekomi i Kosovës ishte detyruar nga dhomat e shkallës së parë që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Në dhjetor të atij viti Dhoma e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, përkatësisht gjyqtari Faton Bajrami, vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë, nuk e përkrahi si të rregullt dhe të ligjshëm, duke elaboruar se aktvendimi kishte shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

Paparaci ka raportuar se Faton Bajrami, një gjyqtar i Gjykatës Komerciale është avancuar nga pushteti dhe dyshohet se është përfshirë në nxjerrjen e aktvendimeve në favor të interesave qeveritare. Bajrami, dyshohet se është gjyqtari kyç që është duke i shtyrë interesat e qeverisë brenda Komerciales.

Bajrami vendosi që ta kthejë në rivendosje këtë rast. Rasti u prolongua për disa vite, pasi ai e ktheu lëndën tri herë në rivendosje.

Ndërkohë, më 20 shkurt 2024, Gjykata Komerciale-Dhoma e Shkallës së Parë abrogoi Aktvendimin për bashkimin e lëndëve dhe Kryetari i Gjykatës Komerciale miratoi kërkesën e “Telekomit” për përjashtimin e gjyqtarit paraprak.

Ishte kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli që përjashtoi gjyqtarin Alajdin Tërshnjaku dhe një vendim i tillë, rriti edhe më tej dyshime të ndërhyrjeve politike në këtë gjykatë, në raste kur pala në kontest është qeveria apo institucione të pushtetit.

Përpos Faton Bajrami, në maj të 2024 Paparaci raportoi se Franciska Zhitia, një gjyqtare e Dhomës së shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, ishte caktuar kryesuese e një trupi gjykues të Apelit të Komerciales, që do të vendosë për rastin Telekomi-Dardafon.

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë në tetor të vitit të kaluar, Zhitia, bashkë me dy gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Komerciale, Faton Bajramin dhe Saranda Gogajn, ishin emëruar në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Të tre janë përfshirë në gjykimin e lëndëve ku palë ka qenë pushteti: rasti “Rruga A” dhe rasti Telekom-Dardafon.

Së fundmi më 8 korrik 2024, Gjykata Komerciale-Dhoma e Shkallës së Parë, në rivendosje e njohu dhe e shpalli të ekzekutueshëm vendimin e Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

I njëjti vendim mori formë të prerë nga shkalla e dytë e Komerciales, si dhe mbeti në fuqi në shqyrtim të ligjshmërisë së vendimit në Gjykatën Supreme, e cila refuzoi kërkesën për revizion duke i shteruar mjetet juridike në dispozicion për ankimimin e tij.

“Telekomi” dhe “Dardafon” kishin arritur marrëveshje bashkëpunimi në vitin 2009.