Pas kontratës 15 milionëshe të vitit të kaluar me kompaninë kroate Ericsson Nikola Tesla d.d. për ndërtimin e rrjetit 5G, Telekomi i Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje të re me të njëjtën kompani, kësaj here në vlerë prej 1.38 milionë eurosh dhe këtë herë pa asnjë garë publike, përmes procedurës së negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, raporton Demokracia.com.
Telekomi kishte planifikuar fillimisht që kontrata të kishte vlerë 1,170,740.00 euro, por pas negocimeve me kompaninë kroate, çmimi jo vetëm që nuk u ul, por u rrit me mbi 200 mijë euro, duke arritur në 1,381,473.20 euro.
Kontrata e re përfshin furnizimin me softuerë dhe licenca për funksionimin e teknologjisë 5G, duke përfshirë:
-
Abonime për elementet e rrjetit RAN dhe CORE,
-
Licenca për platformat UDM, SAPC, EDA,
-
Pajisje softuerike për menaxhimin e trafikut në rrjetin 5G jo-autonom (NSA),
-
Kapacitete për përpunimin e deri në 50 mijë lidhjeve simultane.
Marrëveshja vjen në kohën kur Telekomi ka nisur zbatimin e fazës së parë të projektit 5G, përmes instalimit të 10 stacioneve bazë dhe kalimit në kodin ndërkombëtar 383.
Nëse kontrata e parë ishte shpallur si një hap strategjik për modernizimin e Telekomit dhe ishte nënshkruar pas një procesi të hapur tenderimi, kjo kontratë e dyt, ndonëse më e vogël në vlerë është kryer në heshtje dhe jashtë syve të konkurrencës, duke e bërë procesin më pak transparent dhe duke ngritur pyetje për llogaridhënien institucionale.
Përveç Ericsson Nikola Tesla d.d., në rajonin e Ballkanit operojnë disa kompani të tjera që ofrojnë shërbime të ngjashme në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve 5G dhe zgjidhjeve të avancuara për operatorët e telekomunikacionit. Zgjedhja e partnerëve të ndryshëm ndihmon në krijimin e një tregu më konkurrues dhe në shmangien e varësisë nga një furnizues i vetëm.
Në total, Telekomi i Kosovës ka lidhur kontrata mbi 16.3 milionë euro me të njëjtën kompani për teknologjinë 5G brenda një periudhe shumë të shkurtër pa u parë ndonjë vlerësim publik mbi alternativat teknike apo financiare.
Në vitin 2024, Telekomi kishte njoftuar për kontratën 15 milionëshe me kompaninë kroate “Ericsson Nikola Tesla” për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit mobil, përfshirë instalimin e pajisjeve Ericsson 4G+ dhe 5G në rrjetin radio të Telekomit.
“Pas një procesi të hapur dhe të suksesshëm të tenderimit, Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, nënshkroi sot kontratën kornizë me vlerë prej 15 milionë eurove në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Ericsson Nikola Tesla nga Zagrebi”, thuhej atëherë në komunikatën zyrtare.
Por ndryshe nga ajo marrëveshje e parë, kontrata e fundit nuk u shoqërua me asnjë komunikim për publikun dhe as me sqarime për rritjen e çmimit apo mungesën e konkurrencës. /Demokracia.com/