Telekomi i Kosovës lidh kontratë 1.05 milion euro me negocim pa publikim për të drejtat e transmetimit të FIFA World Cup 2026

Ndërmarrja publike qendrore, Telekomi i Kosovës, ka realizuar një tender me negocim pa publikim të kontratës, duke shmangur transparencën. Bëhet fjalë për tenderin Blerja e të drejtave të transmetimit të FIFA World Cup 2026 – Kupa e Botës në Futboll 2026, shkruan Demokracia.com. 

Kontrata do të lidhë me kompaninë Dividend Shpk nga Tirana, në vlerë prej 1,050,000.00 euro për një vit.

“Qëllimi i Autoritetit Kontraktues është të lidhë një kontratë publike me një operator ekonomik. Autoriteti kontraktues synon të pasurojë përmbajtjen e platformës televizive TV Vala me blerjen e të drejtave për transmetimin e Kampionatit Botëror të Futbollit FIFA World Cup 2026. Këto të drejta pritet t’i kontraktojë nga Dividend Shpk, e cila paraprakisht i ka siguruar të drejtat ekskluzive nga FIFA për transmetim të këtij kampionati në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në dosjen e tenderit.

“Me anë të kësaj kërkese synohet blerja e të drejtave të transmetimit në platformën televizive TV Vala të FIFA World Cup 2026”, shtohet më tej.

Sipas specifikimeve teknike, sinjali televiziv i eventit duhet të ofrohet nëpërmjet transmetimit satelitor, në standardin DVB-S2 me kompresim video MPEG-4 (H.264) dhe me dekodim të mbrojtur përmes BISS / CAM. Parametrat teknikë të satelitit (pozicioni orbital, frekuenca, FEC, symbol rate) do të komunikohen nga furnizuesi i sinjalit para fillimit të eventit.

Pronar i kompanisë Dividend Shpk është Alban Jaho, ndërsa kompania është rihapur në vitin 2019.

Në vitin 2019, si drejtor i Digitalb, një prej kompanive më të mëdha në vend, Jaho është shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të rënda të konstatuara nga Vjollca Hoxha, një prej aksionereve kryesore të kompanisë. Hoxha kishte tentuar ta shkarkonte edhe një vit më parë, por nuk kishte mundur ta realizonte qëllimin e saj, pasi ish-drejtori ishte mbrojtur nga pjesa tjetër e aksionarëve.

Sipas mediave në Shqipëri, Jaho ishte i fundit nga bashkëpunëtorët e Dritan Hoxhës, themeluesit të Top Media, që largohej nga Vjollca Hoxha. Vendimi për shkarkimin e menjëhershëm të Jahos thuhet se ishte marrë kryesisht nga votat e familjes Hoxha; nga katër aksionarët që votuan, tre ishin Vjollca, Itan dhe Redia Hoxha, raporton edhe Newsbomb.

Në vendimin e mbledhjes së aksionarëve thuhej se shkarkimi i Alban Jahos është motivuar nga shkelje të rënda dhe flagrante të detyrave që i kishte ngarkuar Këshilli Mbikëqyrës, dhe kërkesa për shkarkim është bërë nga Vjollca Hoxha.

“Zoti Alban Jaho detyrohet që brenda ditës së sotme t’ia dorëzojë, nëpërmjet një procesverbali, ambientet dhe mjetet e punës, si dhe gjithë dokumentacionin shkresor dhe elektronik të administrimit të veprimtarisë së shoqërisë znj. Vjollca Hoxha dhe z. Arben Taipi”, thuhej në vendim. /Demokracia.com/