Telekomi i Kosovës ka realizuar një kontratë në vlerë prej rreth 4.5 milionë eurosh përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Projekti ka të bëjë me “Renovimin e shërbimeve të përkrahjes teknike, shërbimet e implementimit për upgrade dhe implementimin e brezit 2100 MHz (Band 1) në LTE”, shkruan Demokracia.com.
Kontrata, me vlerë të saktë prej 4,584,212.83 euro, është rekomanduar për kompaninë “Ericsson Nikola Tesla d.d”, me seli në Zagreb të Kroacisë.
Ky tender është i ndarë në tri lote:
-
Lot 1 – “Shërbime të përkrahjes teknike në Vala”, në vlerë prej 1,708,021.54 euro.
-
Lot 2 – “Shërbimet e implementimit për upgrade (Upgrade Implementation Services)”, në vlerë prej 377,590.26 euro.
-
Lot 3 – “Implementimi i brezit 2100 MHz (Band 1) në LTE”, në vlerë prej 2,498,601.03 euro.
Validiteti i të tre loteve është 16 muaj, ndërsa vendndodhja kryesore e punimeve do të jenë stacionet bazë dhe platformat ekzistuese të rrjetit mobil.
Në dosjen e tenderit thuhet se: “Shërbimet e përkrahjes teknike (Support Services) për periudhën e mbetur të vitit 2025, duke filluar nga 01.07.2025 deri në fund të vitit 2026, kanë për qëllim të sigurojnë mbështetje teknike pas përfundimit të afateve të garancionit dhe mirëmbajtjes për projektet e modernizimit të rrjetit për LOT1 (Rrjeti Qendror), LOT2 (120 RBS), 30 RBS dhe 400 RBS. Është e nevojshme që rrjeti i modernizuar të ketë përkrahje teknike të vazhdueshme për pajisjet hardware dhe software”.
Po ashtu, projekti tjetër parashikon zgjerimin e kapaciteteve të brezit frekuencor në rrjetin radio për teknologjinë 4G LTE, duke shtuar një bartës të ri frekuencor në brezin 2100 MHz (B1 sipas 3GPP), me gjerësi prej 2×20 MHz. Ky kapacitet shtesë do të përmirësojë performancën e rrjetit, sidomos në zonat urbane me densitet të lartë të konsumatorëve.
Implementimi i këtij projekti është në përputhje me autorizimin e dhënë nga ARKEP për “Dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të resurseve frekuencore 2×20 MHz në brezin 2100 MHz për operatorin Telekomi i Kosovës Sh.A”.
Kjo nuk është kontrata e parë që nënshkruhet me negocim me kompaninë në Kroaci
Pas kontratës 15 milionëshe të vitit të kaluar me kompaninë kroate Ericsson Nikola Tesla d.d. për ndërtimin e rrjetit 5G, Telekomi i Kosovës në prillë 2025, ka nënshkruar një marrëveshje të re me të njëjtën kompani, në vlerë prej 1.38 milionë eurosh.
Telekomi kishte planifikuar fillimisht që kontrata të kishte vlerë 1,170,740.00 euro, por pas negocimeve me kompaninë kroate, çmimi jo vetëm që nuk u ul, por u rrit me mbi 200 mijë euro, duke arritur në 1,381,473.20 euro.
Kontrata përfshinte furnizimin me softuerë dhe licenca për funksionimin e teknologjisë 5G, duke përfshirë:
-
Abonime për elementet e rrjetit RAN dhe CORE,
-
Licenca për platformat UDM, SAPC, EDA,
-
Pajisje softuerike për menaxhimin e trafikut në rrjetin 5G jo-autonom (NSA),
-
Kapacitete për përpunimin e deri në 50 mijë lidhjeve simultane.
Marrëveshja vinte në kohën kur Telekomi ka nisur zbatimin e fazës së parë të projektit 5G, përmes instalimit të 10 stacioneve bazë dhe kalimit në kodin ndërkombëtar 383. /Demokracia.com/