“Dëbime masive, ripërtëritje e traditës dhe kulturës, përmbysje e globalizmit të Bashkimit Evropian”…
Këto janë vetëm disa nga parullat e përfshira në një paketë të re vendimesh për “çdo nacionalist të bardhë”.
Materiali është shpërndarë në Telegram nga një organizatë e sapokrijuar ndërkombëtare e ekstremit të djathtë.
Bëhet fjalë për Ligën Ndërkombëtare Sovraniste “Paladins” (International Sovereigntist League – Paladins / ISL Paladins) – një aleancë kjo transnacionale e organizatave të djathta radikale dhe neonaziste, sipas të dhënave nga llogaritë e saj në Telegram.
Liga është themeluar në shtator të vitit 2025 në Shën Petersburg të Rusisë.
Në kongresin themelues është deklaruar se qëllimi i saj duhet të jetë bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve mes organizatave të ekstremit të djathtë.
Në këtë aleancë marrin pjesë edhe disa grupe ekstremiste të djathta nga Serbia, së bashku me rreth dhjetë organizata të tjera evropiane me të njëjtin orientim ideologjik, si dhe disa lëvizje nga Afrika dhe Amerika Latine, përfaqësuesit e të cilave kanë qenë të pranishëm në takimin në Rusi.
Një analizë e Radios Evropa e Lirë tregon se që nga themelimi i “ISL Paladins”-it, gjatë tre muajve të fundit, anëtarët e ligës kanë zhvilluar veprime të sinkronizuara dhe kanë shkëmbyer përmbajtje në mënyrë të koordinuar në rrjetet sociale.
“Liga ka lindur. Rezistenca është bashkuar. Lufta ka filluar!”, thuhet në postimin e parë të kësaj aleance në rrjetin social Telegram, të publikuar më 22 shtator të vitit 2025.
Përhapja e mesazheve përmes rrjetit të kanaleve të ndërlidhura
Kanali në Telegram i këtij grupi është hapur në shtator të vitit të kaluar dhe ka pak më shumë se një mijë ndjekës.
Megjithatë, sipas analizës së të dhënave që mund të shihen në platformën Telemetr, e cila mbledh të dhëna analitike për kanalet dhe grupet në Telegram, profili i “ISL Paladins”-it ka një nivel jashtëzakonisht të lartë ndërveprimi me audiencën.
Kjo do të thotë se, falë ripostimeve, përmbajtja nga ky kanal arrin te një numër shumë më i madh njerëzish.
Analiza e Radios Evropa e Lirë tregon se mesazhet nga ky profil shpërndahen rregullisht nga kanale informuese të djathta dhe proruse në Telegram, si “Fortress Europe”, “Right People Z” dhe “Bellum Acta”, të cilat kanë mbi 150 mijë ndjekës, si dhe nga kanalet e organizatave të djathta që kanë marrë pjesë në themelimin e “ISL Paladins”-it.
Gjatë dhjetorit 2025, përmbajtja nga kanali “ISL Paladins” është ripublikuar në 30 profile të tjera në Telegram.
Ndër dhjetë llogaritë që shpërndajnë më së shumti mesazhet e “ISL Paladins”-it janë tri kanale në Telegram të organizatave të djathta serbe.
Organizata nga Serbia, “Narodne patrole”, me rreth 10.900 ndjekës, mesatarisht çdo të dytën ditë shpërndan postime nga kanali i “ISL Paladins”-it.
Në një masë pak më të vogël, të njëjtën gjë e bëjnë edhe grupet “Srpska akcija” dhe krahu i saj rinor “Zborashka omladina” – llogaritë e të cilave, sipas të dhënave të Telegramit, ndiqen nga rreth 6.700 persona.
Bëhet fjalë për organizata të njohura për ideologji etnonacionaliste, retorikë antimigrante dhe homofobike.
“Narodne patrole” ishte në qendër të vëmendjes së publikut në fillim të vitit 2020, kur aktivistë të këtij grupi joformal ndalonin migrantë në rrugët e Beogradit dhe u shpërndanin fletëpalosje me mesazhin se u “ndalohej lëvizja jashtë qendrave të migrantëve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit”, si dhe “lëvizja në grupe më të mëdha se tre persona gjatë ditës”.
Organizata “Srpska akcija” është një grup që deklaron se angazhohet për “ortodoksinë luftarake, ruajtjen e qenies kombëtare dhe identitetin racor”.
Aktivistë të grupit “Srpska akcija” në vitin 2022 vizituan një poligon stërvitor ushtarak të “Legjionit Perandorak” në Shën Petersburg. Ky është krahu militant i Lëvizjes Perandorake Ruse (RIM) – një organizatë ultranacionaliste nga Rusia, e cila në vitin 2020 është shpallur nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së si kërcënim terrorist global.
Fokusi në politikën antimigrante
Që nga themelimi, “ISL Paladins” e ka fokusuar veprimtarinë e vet te çështja e migracionit.
Menjëherë pas kongresit themelues në Rusi filluan aktivitetet e koordinuara përmes një rrjeti kanalesh të lidhura në Telegram dhe organizatash me të njëjtin narrativ: migrantët prezantohen si kërcënim për sigurinë, armik kulturor dhe burim dhune.
Analiza e postimeve tregon se informacionet mbi incidentet ku janë të përfshirë migrantët, shpërndahen në mënyrë të sinkronizuar përmes shumë kanalesh të lidhura.
Përveç thirrjeve të hapura për masa represive, përndjekje dhe dëbime masive, kritikohet edhe politika e menaxhimit të migracionit në vendet perëndimore, shpesh duke përdorur të dhëna të pasakta ose jo të plota.
Për shembull, në kanalin në Telegram “ISL Paladins” u publikua informacioni se një avion me 141 pasagjerë me origjinë afgane kishte ateruar në Gjermani, me pretendimin se “gjermanët detyrohen të pranojnë në vend myslimanë që praktikisht dhunojnë popullsinë e tyre”.
Megjithatë, bëhej fjalë për bashkëpunëtorë të institucioneve gjermane, gazetarë dhe aktivistë nga Afganistani, të cilët, pas marrjes së pushtetit nga talibanët, Gjermania i përfshiu në programin humanitar të pritjes.
Gjatë vitit 2021, kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, theksoi se “e konsideron të rëndësishëm evakuimin e njerëzve nga Afganistani që kanë punuar për Gjermaninë për 20 vjet”.
Në korrik të vitit 2025, gjykata urdhëroi që programi i pritjes për këta njerëz të vazhdojë edhe pas ndryshimit të Qeverisë në Gjermani dhe pas paralajmërimeve për politikë më të ashpër të imigracionit.
Ndërkohë që për “ISL Paladins”-in e gjithë Evropa është “në rrezik” për shkak të ardhjes së migrantëve, i vetmi shembull i një politike “të mirë” migracioni, sipas kësaj organizate, gjendet në Rusi.
Në kanalin e tyre në Telegram u publikua një informacion se 87 për qind e fëmijëve migrantë që kishin dorëzuar dokumentacionin, nuk ishin regjistruar në shkollat ruse, pasi, sipas postimit, nuk kishin dokumentacion të plotë ose nuk i plotësonin kriteret.
“Fëmijët migrantë janë kriminelë të ardhshëm dhe barrë për vendet tona. Ata nuk duhet ta shfrytëzojnë sistemin tonë arsimor”, thuhet në llogarinë në Telegram të “ISL Paladins”-it.
“Human Rights Watch” dhe organizata të tjera e kanë kritikuar politikën e re ruse, e cila e kufizon qasjen në arsim të fëmijëve migrantë, si dhe ligjin, i cili që nga prilli i vitit 2025 kërkon që fëmijët e familjeve migrante, të kalojnë një test në gjuhën ruse për t’u regjistruar në shkolla publike.
Kjo është vlerësuar si një masë diskriminuese që shkel të drejtën për arsim dhe obligimet ndërkombëtare të Rusisë sipas Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijëve.
Nga propaganda te veprimtaria e koordinuar
Menjëherë pas kthimit nga kongresi themelues në Shën Petersburg, organizata “Narodna Patrola” thirri një protestë në Beograd kundër, siç tha, “ndryshimit të popullsisë”.
Protesta më pas u anulua, pasi udhëheqësi i këtij grupi të djathtë ekstremist, Damjan Knezheviq, u arrestua në Beograd, për shkak të dyshimeve për kryerje të veprës penale të diskriminimit racor.
Knezheviq nuk ishte në dispozicion për të komentuar nëse aktivitetet e aleancës së formuar në Shën Petersburg dhe ato të “Narodna Patrola”-s janë të koordinuara me shpërndarjen e përmbajtjes nga kanali në Telegram i “ISL Paladins”-it.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Prokuroria e Lartë Publike e Beogradit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë mbi statusin aktual të procedurës që çoi në arrestimin e tij.
Përndryshe, Knezheviq është arrestuar edhe në vitin 2023, pas organizimit të një proteste lidhur me politikën e Serbisë ndaj Kosovës.
Atëkohë, ai është akuzuar për thirrje për rrëzim të dhunshëm të rendit kushtetues, por është liruar në nëntor të vitit 2024, për shkak të mungesës së provave.
Informacionin për arrestimin e Knezheviqit në vitin 2025, “ISL Paladins” e ndau në kanalin në Telegram me mesazhin:
“Njerëzit tanë janë të ekspozuar ndaj represionit në vendet e tyre, ku mbi ta ushtrohet padrejtësi”.
Më 1 dhjetor të vitit të kaluar, “ISL Paladins” mbajti edhe tubimin e parë të përbashkët zyrtar kundër Bashkimit Evropian.
Anëtarët e organizatave të djathta, pjesë e kësaj lige, dolën njëkohësisht në rrugët e Greqisë, Hungarisë, Belgjikës, Rusisë, Spanjës dhe Serbisë.
Mikpritësit rusë
Edhe pse formalisht pa mbështetje institucionale, “ISL Paladins” u themelua në një takim që u mbajt më 12 shtator, 2025, në selinë e Asamblesë Ligjvënëse të Shën Petersburgut, nën organizimin e Konstantin Malofejevit, një oligark rus me lidhje të afërta me Kremlinin dhe Kishën Ortodokse Ruse.
Malofejev është nën sanksionet e Perëndimit që nga viti 2014 për rolin e tij në nxitjen e kryengritjeve në jug dhe në lindje të Ukrainës, për ndihmën në aneksimin rus të Krimesë dhe për mbështetjen ndaj separatistëve prorusë.
Në takim ishte i pranishëm edhe Aleksandar Dugin – një nga ideologët kryesorë të Kremlinit dhe mik i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.
Aty morën pjesë përfaqësues të organizatave të djathta nga tri kontinente.















