Në Drenas është raportuar për një telash i cili është trashëguar nga e kaluara.
Gazetarja e Klan Kosova, Donjeta Murselaj, ka biseduar me Flakarta Gllarevën, menaxhere e qendrës më të madhe të votimit në Drenas, e cila ka treguar se në atë qendër janë drejtuar rreth 15 persona që kanë kërkuar të votojnë me asistencë, por që janë kthyer mbrapsht nga stafi i KQZ-së pasi nuk kanë pasur asnjë dokument që e vërteton se ata kanë nevojë për asistencë.
Erald Hoti, mjek nga qendra e shëndetit “Hafir Shala” në Drenas, tha se një personi i është refuzuar t’i jepet vërtetimi për asistencë.
“Në qendrën tonë në Drenas, janë paraqitur 7 persona me qëllim të marrjes së vërtetimit nga mjeku për votim me asistencë. Gjashtë prej tyre u është ofruar kjo mundësi, ndërsa një është refuzuar pasi është parë që ai ka mundësi të votojë edhe i vetëm. Shumica prej këtyre personave kanë ardhur me familjarë, dhe kanë qenë të moshave mbi 65-vjeç”, deklaroi Hoti. /Klankosova.tv










