Tejkalim i rrezikshëm dhe shpejtësi ekstreme, Policia ndëshkon rëndë dy vozitës në rrugën Klinë-Pejë

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj dy drejtuesve të mjeteve për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit, të dokumentuara përmes video-incizimeve.

Sipas njoftimit zyrtar, më 15 janar 2026 një kundërvajtës ka tejkaluar ndjeshëm shpejtësinë e lejuar, duke drejtuar veturën me 186 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi ligjor ishte 80 km/h.

Shkelja është incizuar nga vetë kundërvajtësi, ndërsa më 18 shkurt 2026 ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse ndalim drejtimi për gjashtë muaj.

Në një rast tjetër, më 16 shkurt 2026, në rrugën Klinë–Pejë, në fshatin Grabanicë, një autobus është kapur duke bërë tejkalim në vijë të plotë, ku tejkalimi është i ndaluar me shenja horizontale dhe vertikale të trafikut.

Shkelja është dokumentuar me video-incizim, ndërsa ndaj kundërvajtësit është shqiptuar gjobë prej 200 euro, dy pikë negative dhe masë mbrojtëse ndalim drejtimi për tre muaj.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për respektim të rregullave të komunikacionit, duke theksuar se shkeljet e tilla paraqesin rrezik serioz për sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.