Teatri Kombëtar i Kosovës në grushtin e pushtetit, pas Këshillit Drejtues, a do ta çojnë edhe drejtorin e tyre

Më 5 prill 2022, Kushtrim Sheremeti kishte nënshkruar kontratën si Drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në atë periudhë shfaqjet po luheshin ende në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, para se puna të vazhdonte në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë. Mandati katërvjeçar i drejtorit pritej të përfundonte në shkurt të këtij viti (2026), e megjithatë, ky mandat u përfundua më herët

Më 26 dhjetor Sheremeti kishte dhënë dorëheqje nga posti i Drejtorit të TKK-së dhe përmes emailit e ka njoftuar edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Për t’i rënë shkurt, Sheremeti erdhi në postin e drejtorit të TKK-së në mesin e shumë polemikave, udhëhoqi institucionin gjatë një periudhe të vështirë kur hapësira për shfaqjet u ngushtua dhe kur struktura udhëheqëse brenda Teatri u ndryshua dhe kaloi në publik pa u vërejtur.

Në fund të vitit 2025 para se të mbahej Festivali i Teatrove Shqiptare “Moisiu”, sindikata e aktorëve të TKK-së u futën në grevë, nuk mbajtën aktivitete dhe si pasojë u anulua edhe festivali. Pas një periudhe disa mujore, kjo grevë përfundoi, duke lënë pikëpyetje të mëdha në publik për përfitimet dhe produktin final të saj.

Megjithatë puna në teatër vazhdoi, në mesin e mëdyshjeve për punë të shendosh, pas mungesës së herëpashershme të premierave që sidomos në vitin 2025 u futen në një anemi të vërejtshme.

Në letrën e dorëheqjes së Sheremetit ndër të tjera shkruhej:

“Koha dhe konteksti gjithmonë i qartësojnë gjërat, andaj besoj se detajet janë të parëndësishme në këtë moment, e rëndësishme është mirëqenia dhe suksesi i Teatrit Kombëtar të Kosovës. I falënderoj gjithë stafin e TKK dhe bashkëpunëtorët, për një eksperiencë unike, ndërsa unë do të vazhdoj me projekte tjera në teatër, televizion dhe film.”

Në maj të vitit të kaluar brenda Këshillit Drejtues në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u emëruan disa individë, një detaj ky që poashtu kaloi pa zhurmë të madhe në opinionin publik.

Rajmonda Ahmetaj, Visare Aliu, Shkurtë Aliu, Vlora Merovci, Gresa Pallaska, Molikë Maxhuni dhe Donika Gashi si përfaqësuese të MKRS-së, janë emrat e KD të TKK-së.

Portali Koha, në një shkrim të publikuar më 6 janar, thekson se përkundrejt letrës së dorëheqjes si duket Sheremeti gjatë vitit të kaluar është akuzuar për keqmenaxhim.

Më 16 dhjetor të vitit të kaluar Këshilli Drejtues kërkoi inicimin e Komisionit Disiplinor, renditi disa pika. Sipas Këshillit Drejtues, Kushtrim Sheremeti ka vonuar dërgimin e kërkesave për miratim, gjatë muajit qershor, TKK-ja s’ka pasur repertor, e po ashtu është evidentuar mospërmbushje serioze e obligimeve ndaj bashkëpunëtorëve të jashtëm.

Kjo paqartësi e gjithë kësaj drame, vazhdon edhe më. Ajo që është ende e paqartë kalon përtej vendimeve të marra në këto kohë, disa pikëpyetje ende vazhdojnë të qëndrojnë pezull mbi këto çështje:

Një drejtor pezullohet për procedurë disiplinore, por në të njëjtën ditë dorëhiqet. Kjo lë të paqartë përgjegjësinë ligjore: A u mbyll procedura me dorëheqje apo mbeti pezull pa epilog?

E në anën tjetër diskursi publik u përqendrua te Sheremeti, por: Këshilli Drejtues ishte organi që e emëroi, e mbikëqyri, dhe vetëm në fund reagoi.  Askush nuk pyeti: si u lejua që problemet të grumbulloheshin për muaj të tërë pa ndërhyrje reale?

Përtej kësaj problemet në arenën e kulturës në Kosovë mbesin në pikun e saj. Insitucionet kulturore në vend po vuajnë; po është problematike që shumica nga këto institucione vazhdojnë të improvizojnë neper hapësira dosido, po është problematike që vendime për struktura udhëheqëse të këtyre institucioneve po vendosen pa bujë e pa dijeni në publik dhe po anemia e një stabiliteti kulturor nuk ka të ndaluar tash e për shumë kohë.