“Të thërrasë një takim me liderët” | Ngërçi në Kuvend, Presidentes i kërkohet të ndërhyjë

Mungesa e kompromisit për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit ka bërë që partitë politike të shikojnë nga zgjedhjet e reja. Askush prej partive parlamentare shqiptare nuk i ka përjashtuar zgjedhjet e parakohshme si rrugë për të dalë nga kriza aktuale.

 

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur procesin aktual parlamentar “cikël absurd seancash çdo 48 orë”, pa reflektim politik dhe pa asnjë rezultat konkret.

Sipas KDI-së, mungesa e një përpjekjeje serioze për të arritur marrëveshje që siguron shumicën parlamentare, si dhe përsëritja e kandidaturës së njëjtë për pozitat udhëheqëse, e ka shndërruar këtë proces kushtetues në një formalitet të zbrazët që nuk sjell zgjidhje.

“Rregullorja e Punës së Kuvendit ka kuptim vetëm nëse respektohet në frymën e saj – për të garantuar funksionalitetin e institucionit. Ajo nuk mund të keqpërdoret si mburojë për mungesën e vullnetit politik, e aq më pak për të justifikuar një gjendje të pafund bllokade”, thuhet në reagimin e KDI-së.

KDI-ja thekson se kur procedurat parlamentare shndërrohen në arsyetim për paralizën institucionale, problemi nuk është më vetëm teknik, por politik, dhe kërkon adresim të tillë.

Në këtë drejtim, KDI-ja i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të marrë rol më aktiv duke thirrur takim me liderët e partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për dalje nga situata.

“Kushtetuta i njeh Presidentes mandatin për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve. Në një situatë kur Kuvendi – institucioni më i lartë përfaqësues – është i bllokuar, angazhimi i saj politik dhe institucional nuk është vetëm i justifikuar, por i domosdoshëm”, thuhet në deklaratë.

Sot dështoi për të gjashtën herë zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se është apsurde të mendohet të shkohet në zgjedhje pa përfundimin e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë.

Ai ka treguar se Kushtetuta i ka përcaktuar rregullat se si mund të shkohet në zgjedhje të reja.

“Nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u konstitu Kuvendi. Pastaj është Kushtetuta, dihet saktë në cilat raste vjen deri te shpërndarja e Kuvendit. Po me shku zgjedhje kur hala s’e ke konstitu, ky është absurd. Unë i dëgjova tu thanë nepër media, është budallallëk ajo punë, veç me mendu”, ka thënë Hasani për ATV.

S’ka zgjedhje pa u kryer konstituimi i Kuvendit, Cakolli përgënjeshtron Mimoza Kusarin: Pretendime të pasakta

Pas ndërprerjes së sotme të seancës konstituive, e cila ka filluar më 15 prill, përfaqësuesit e partive politike nuk e kanë përjashtuar opsionin e zgjedhjeve si dalje nga kriza aktuale. Ata kanë thënë se zgjedhjet e reja mund të jenë një rrugëdalje nga kriza.

Më të zëshëm në këtë drejtim kanë qenë zyrtarët e VV-së.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se opsioni i fundit janë zgjedhjet.

“Nuk është qëllimi ynë të shkojmë në zgjedhje, ai do të ishte opsioni i fundit për ne, nëse në fund të ditës, Kuvendi, deputetët refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë opsioni i fundit mbetet ai”, ka deklaruar Murati.

Edhe kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se janë të gatshëm të flasin për datën e zgjedhjeve.

“VV-ja e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi. Jemi gati të presim partitë, të flasim me to për datën e zgjedhjeve. Nëse refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Kushtetuta parasheh duhet të jenë 61 vota për kryetarin e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe deputeti i VV-së, Faton Peci.

“Dihet që ose i themelojmë institucionet, ose e bëjmë Kuvendin, e themelojmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje. Hatërmbetja me kandidaten për kryetare munet me shku më gjatë, ama apet besoj që do të ketë reflektim”, është shprehur Peci.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmëri të plotë për t’u takuar me partitë politike kurdo që ato e konsiderojnë të nevojshme.

Megjithatë, deri më tani, asnjëra prej partive politike nuk ka kërkuar zyrtarisht përfshirjen e Presidentes në ndonjë proces apo iniciativë konkrete.

“Presidentja Osmani u ka ofruar partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë që kurdo që ata e shohin të nevojshme, ajo mund t’i presë për konsultime. Deri tani asnjë nga partitë nuk ka kërkuar involvimin e Presidentes”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.

Gjatë së premtes seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka përjetuar një tjetër dështim, duke e bërë të pamundur zgjedhjen e kryetares së Kuvendit për herë të katërt radhazi.

Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë, nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të mjaftueshme nga deputetët, duke mbajtur një mbështetje prej vetëm 57 votash, nga 61 që janë të nevojshme. Në këtë seancë, e cila pati 118 deputetë të pranishëm, votimi ka pasur 47 deputetë që kanë votuar kundër dhe 3 që janë abstenuar./Demokracia.com/.

Bllokada në Kuvend– zgjedhjet e reja shihen si rrugëdalje