Policia e New South Wales konfirmon dy të dyshuar në pranga.
Disa persona kanë mbetur të vrarë pas një sulmi me armë zjarri në Bondi Beach të Sydney-t, gjatë një aktiviteti për shënimin e natës së parë të Hanukkah.
Ngjarja ka shkaktuar panik në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.
Policia e shtetit të New South Wales bëri të ditur se dy persona të dyshuar janë arrestuar, por theksoi se operacioni policor është ende në zhvillim.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën dhe të ndjekin vetëm udhëzimet zyrtare të policisë.
Pamjet të publikuara në media tregojnë dy persona duke qëlluar nga një urë në drejtim të vendit ku po zhvillohej aktiviteti, ndërsa persona të pranishëm përpiqeshin t’u jepnin ndihmën e parë të lënduarve.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar për numrin e viktimave apo gjendjen e tyre shëndetësore.
Një zëdhënës i kryeministrit australian Anthony Albanese konfirmoi se qeveria është në dijeni të situatës së sigurisë në Bondi dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e policisë së New South Wales.
Hetimet për motivin e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes janë në vijim, ndërsa autoritetet po punojnë për të garantuar sigurinë në zonë.











