Me një listë të përbashkët nën logon “Aleanca Shqiptare’ do të garojnë katër partitë më të mëdha shqiptare në zgjedhjet lokale në Komunën e Graçanicës. Leutrim Ajeti, kandidati për kryetar të kësaj komune, tha se synojnë fitoren. Politologë thonë se kjo është një iniciative e mirë e që duhet marrë model edhe në komuna të tjera.
Ndryshe nga situata plotë ndasi e mospajtime në nivelin qendror, katër partitë më të mëdha shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tejkaluan ndasitë dhe u bashkuan në një listë, për zgjedhjet lokale për asamble e kryetar komune në Graçanicë.
Leutrim Ajeti, kandidati i Aleancës Shqiptare, për kryetar të Komunës së Gracanicës, tha për Radio Kosovën se ndasitë u tejkaluan me një qëllim.
“Qëllimi kryesor është ta fitojmë kryetarin e komunës në Graçanicë, por edhe në asamblenë komunale të kemi përfaqësim, besoj edhe shumicë. Gjasat janë shumë të mëdha por këtë do ta shohim më 12 tetor. Jam i bindur që si “Aleancë Shqiptare’ kemi një përfaqësim dinjitoz dhe do të afrohemi për ta fituar garën”, tha Ajeti.
Ai, që nga zgjedhjet lokale të 2021 është nënkryetar i Graçanicës, tregoi tri projektet kryesore që do t’i realizojë nëse bëhet kryetar i komunës multietnike në shumicë e banuar nga komuniteti serb.
“Lirimi i rrugës kryesore me një nënkalim, pastaj çështja e transportit urban e cila është brengë e madhe dhe një kërkesë e të gjithë qytetarëve, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e serbëve, romëve, ashkalinjëve, goranëve e turqve që jetojnë aty. Çështja e ambientit e cila e mundon Komunën e Graçanicës, me mbetjet e minierës dhe lumin Graçanka që është shumë i ndotur”, tha Ajeti.
Politologia Arta Tahiri-Beqa, thotë se iniciativa e Aleancës Shqiptare për t’u bashkuar për zgjedhjet lokale është e mirë dhe duhet marrë model.
“Është një praktikë e cila do të doja që edhe komunat e tjera si Novobërda, Shtërpca të realizojnë një aleancë shqiptare sepse kjo është një fuqizim i akterëve tanë politikë në këto komuna. Do të bënte që të realizohen objektivat dhe qëllimet për të cilat thashë se qytetarë të komunës në këtë rast të Novobërdës, apo të Shtërpcës, e komunat e tjera të kenë fuqinë e tyre politike më të madhe se ajo që ka qenë deri më tani”, deklaroi ajo.
Komuna e Graçanicës është themeluar me procesin e decentralizimit. Nga atëherë është drejtuar nga politikanë serbë. Aktualisht kryetare është Ljiljana Shubariq nga Lista Serbe.
The post Të ndara në Prishtinë, partitë shqiptare bashkohen në Graçanicë appeared first on Kosovapost.net.