Të martën dorëzohet padia kundër vendimit të ZRrE-së për rritje të çmimit të rrymës

Grupi nga iniciativa qytetare “Asnjë cent më shumë” ka njoftuar se do të dorëzojë të martën në gjykatë një padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kundërshtuar ligjërisht vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1%.

Avokati Ardian Bajraktari konfirmoi se është duke përgatitur padinë, ndërsa përfaqësuesi i nismës, Ali Sefaj, theksoi se përveç protestave publike, do të ndiqen edhe rrugët ligjore për të sfiduar këtë vendim të cilësuar si i padrejtë.

Mbështetje për këtë iniciativë ka shprehur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, duke paralajmëruar ndikime të rënda ekonomike për konsumatorët dhe sektorin privat.

“Kjo rritje do të ndikojë negativisht te bizneset, sidomos ato të vogla dhe startup-et, të cilat përballen me kufizime të mëdha financiare. Do të preken gjithashtu prodhuesit që shpenzojnë mbi 800 MWh, duke humbur konkurrueshmërinë në treg”, u shpreh zëdhënësi i Dhomës, Kushtrim Ahmeti.

Pavarësisht kësaj padie të paralajmëruar, qytetarët do të fillojnë të paguajnë energjinë me tarifat e reja nga 1 maji.