Policia e Shtetit shqiptar të hënën ka arrestuar në Tiranë dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), të dyshuar për përfshirje në trafikim të qenieve njerëzore.
Mësohet se të arrestuarit janë Geri Hoxha dhe Reando Biba, banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u krye me qëllim ekstradimin drejt autoriteteve të Kosovës.
“Në qytetin e Tiranës, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve R. B. dhe G. H., banues në Tiranë. Këta dy shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK/Kosovë, më datë 13.01.2026, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për këta dy shtetas, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës”, tha policia.
“Të dy shtetasit ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u ndaluan në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Kosovës,” thuhet tutje në njoftimin e policisë.










